Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në aktivitetet për shënimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, që do të mbahen në Prizren.
Sipas njoftimit publik të partisë, aktivitetet do të fillojnë në orën 17:00 në sheshin e Lidhjes së Prizrenit dhe do të vazhdojnë gjatë pasdites dhe mbrëmjes.
Në mesazhin e saj, Vetëvendosje kujton historikun e Lidhjes së Prizrenit, duke theksuar se më 10 qershor 1878 përfaqësues shqiptarë nga katër vilajete u mblodhën në Prizren për t’iu kundërvënë vendimeve të Kongresit të Berlinit, që sipas tyre rrezikonin copëtimin e trojeve shqiptare.
Në njoftim theksohet se Lidhja e Prizrenit, e udhëhequr nga figura si Abdyl Frashëri, përfaqëson organizatën e parë politike mbarëshqiptare, me synim bashkimin dhe vetëqeverisjen e shqiptarëve.
Vetëvendosje e cilëson këtë ngjarje si një moment historik me rëndësi të veçantë për identitetin dhe vetëdijen kombëtare shqiptare./Arbresh.info