Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari që synonin pengimin e funksionimit të institucioneve shtetërore në veri të vendit gjatë dhjetorit 2022.
Sipas njoftimit, të pandehurit akuzohen për “bashkim për veprimtari kundërkushtetuese” dhe “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”. Prokuroria thotë se ata dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje për të bllokuar institucionet shtetërore dhe për të penguar zbatimin e rendit kushtetues.
Në dosjen e aktakuzës thuhet se gjatë periudhës së përmendur janë organizuar bllokada të rrugëve në komunat veriore me përdorim të automjeteve dhe makinerive të rënda, përfshirë kamionë, ekskavatorë dhe mjete të tjera.
Po ashtu, prokuroria dyshon se të akuzuarit kanë qenë të përgatitur për të kundërshtuar me forcë ndërhyrjet e Policisë së Kosovës për heqjen e barrikadave.
Ndërkohë, hetimet ndaj një numri personash të tjerë janë pezulluar përkohësisht, pasi ata nuk janë të arritshëm për organet e drejtësisë. Prokuroria ka bërë të ditur se procedurat ligjore do të vazhdojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi.