Epidemiologu i njohur, i pari nga shqiptarët e Kosovës, Isuf Dedushaj, ka vdekur në moshën 73 vjeçare.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja e tij.
Ndërkaq, për ceremoninë dhe ditën e varrimit, familja tha se do të njoftohet opinioni me kohë.
Kush ishte Isuf Dedushaj?
Isuf Dedushaj (10 tetor 1951 – 1 shkurt 2025) mjek, epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës, profesor universitar, enciklopedist, dhe bashkautor i zbulimit të genomit të virusit të EHKK emërtuar si “Kosova Hoti”.
Lind në fshatin Vuthaj, ndërsa disa muaj para lindjes sigurimi serb ia kishte pushkatuar babanë (Isuf Zymer Dedushajn) dhe axhën (Çung Zymer Dedushajn), prandaj trashëgoi emrin e të atit, Isuf. Në rrethana shumë të vështira e mbaroi shkollën fillore në Vuthaj dhenë Guci, Gjimnazin në Pejë, kurse në vitin 1976 edhe Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Megjithëse i përkushtuar në fushë të historisë, letërsisë dhe madje gjuhës, ai vendosi që të punonte andej nga e kërkonte ngutshëm populli, e kjo do të thotë, të punonte për ruajtjen dhe ngritjen e shëndetit popullor, prandaj në fillimet e tij prej mjeku u paraqit vullnetar që të shkonte mjek në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas të Drenicës.
Gjatë kësaj kohe asnjëherë nuk u largua nga rrugëtimi i kërkimeve shkencore, fillimisht në Entin Krahinor për Mbrojtje Shëndetësore, ku bashkohej teoria dhe praktika e shëndetit popullor. Në vitin 1980 përfundon specializimin duke u bërë epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës. Studimet pasuniversitare i mbaroi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Sarajevës, ku edhe magjistroi në vitin 1983, ndërsa në vitin 1986 në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës mbrojti tezën e doktoratës. Po këtë vit zgjidhet ligjërues në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në vitin 1998 emerr thirrjen Profesor ordinar. Gjithashtu gjatë vitit 1986/1987 përfundon subspecializimin nga imunologjia pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Zagrebit në Kroaci.
Në një periudhë prej më shumë se tri dekadash ai drejtoi disa institucione arsimore, shkencore e profesionale. Në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë ishte prodekan në dy mandate (1992 – 1996) dhe dekan (2006-2007); Kryetar i Kryqit të Kuq të Kosovës në një kohë shumë të vështirë (1992-2001); Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (2001-2006); kryetar i Asociacionit të Shëndetësisë Publike të Kosovës; anëtar i Kryesisë së Forumit të Intelektualëve të Kosovës – përgjegjës për sektorin e Shëndetësisë në vitet ’90; anëtar i Redaksisë së Revistës Shkencore “Praxis Medica” të Kosovës; redaktor përgjegjës i revistës shumë të popullarizuar “Shëndeti”; drejtues i temave të doktoratës së 38 kandidatëve dhe udhëheqës në specializime të lëndëve preventive (epidemiologji, higjienë, mjekësi sociale, mjekësi e punës dhe mjekësi e përgjithshme). Ka publikuar rreth 300 njësi shkencore dhe mbi 1000 njësi enciklopedike në fushë të mjekësisë.
Në të gjallë të tij botoi veprat universitare: Vaksinimi kundër sëmundjeve ngjitëse (1994); Epidemiologjia, Parimet dhe praktika (1997); AIDS – SIDA, Sëmundje që vret (1998); Imunoprofilaksia (2002); Epidemiologjia speciale e sëmundjeve ngjitëse (2005); Enciklopedi e doktorëve të shkencës së mjekësisë shqiptare gjithandej globit (2019); Rritja dhe zhvillimi i fakultetit të Mjekësisë Së Prishtinës, në 50-vjetorin e gjeneratës së dytë (1970-2020)” etj.
Megjithëse nuk u pranua Anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, është vepra e tij shkencore në fushë të mjekësisë ajo që u vendos në themelet e “Fjalorit Enciklopedik të Kosovës” dhe te një pjesë e “Fjalorit Enciklopedik të Shqipërisë”. Profesor dr. Isuf Dedushaj u nda nga jeta si një murg dhe pa lakminë materiale, që e ka përcjellë shoqërinë tonë aq dukshëm në dy dekadat e fundit, si dhe pa u ndalur asnjëherë nga përkushtimi i tij për të përmbyllur projektet shkencore të përmasave të mëdha, sikur janë: “Enciklopedia e mjekësisë botërore” (2500 f.), versioni i zgjeruar i projektit “Enciklopedia e mjekësisë shqiptare”, gjithashtu në disa vëllime. Së fundi ai shkroi edhe një pjesë të kujtimeve të tij, me theks të veçantë fëmijërinë dhe rininë, të cilën do të kujdesemi që ta përgatisim sa më parë për shtyp./Arbresh.info/
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...
Më pak se 1% import të energjisë nga Serbia