“Tradhti” apo “sukses”| Presioni drejtë ‘finales’ Kosovë-Serbi

08:20 | 8 Maj 2022 | Sahide Dedushi

Darka joformale mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Berlin, e organizuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak shpërtheu me reagime të shumta me theks të veçantë, në kritika ndaj Kurtit, raporton arbresh.info.

Njohës të çështjeve politike, takimin joformal të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, e përkufizojnë me fjalët “tradhti dhe sukses”.

Ndërkaq nuk dihet nëse behet fjalë për një trysni nga ana e Bashkimit Evropian. Analistët e hedhin poshtë pasi që Kurti ka qenë një dijeni se një darkë e tillë do të realizohet.

Analisti politik Nexhmedin Spahiu për arbresh.info tha se kjo darkë mund të quhet një sukses i madh për Kosovën.

“Darka me Vuçiqin është një sukses i Kosovës, e në këtë rast edhe një sukses i Albin Kurtit. I përgatitur apo i papërgatitur, atë nuk e dimë për shkakun se nuk e dimë se për çfarë është biseduar gjatë darkës por vetëm fotografia si fotografi  ku në Berlin, Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë shihen duke darkuar së bashku është një sukses për Kosovën”, tha Spahiu.

Tutje Spahiu tha se nga ajo fotografi e postuar mund të quhet dështim apo poshtërim vetëm i Serbisë, por jo edhe i Kosovës.

“Kjo mund të quhet dështim për Serbinë apo një poshtërim i Serbisë, por për Kosovën sigurisht që është sukses.  Ndryshimi i qëndrimeve të mëparshme  Albin Kurtit për këtë çështje është një gjë e mirë për Kosovën. Përndryshe, në mos pranimi nga ana e tij për të qenë në darkë do të kishte qenë jo korrekte dhe nuk do të ishte në të mirë të Kosovës”, deklaroi  Spahiu.

Nga BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut, ka pasur disa përpjekje për të aranzhuar një takim të ri midis tyre, por deri më tani pa sukses.

Në anën tjetër analistja politike Afërdita Maliqi për arbresh.info tha se zhvillimet e fundit në Ukrainë do të përshpejtojnë procesin e dialogut.

Sipas Maliqit Kurti ka qenë në dijeni se një darkë e tillë do të zhvillohet, madje sipas saj me këto veprime Kurti është kthyer në tjetër njëri dhe kundër parimeve mbi të cilat është zotuar gjithmonë.

“Zhvillimet në Ukrainë dhe vizita e zyrtarëve amerikanë në Kosovës, mendoj se do ta përshpejtoj procesin e dialogut. Në këtë drejtim e shoh edhe darkën e Berlinit. Natyrisht se Kurti ka qenë në dijeni për këtë darkë. Por, atë që e shosh si problematike është tjetërsimi i Kurtit prej opozitari, i cili paraardhësit e tij dhe çdo kë që takonte zyrtarët serbë i akuzonte edhe për tradhti. Sot Kurti është tjetër njeri, i cili ka thyer çdo premtim sa i përket dialogut. Ai sot po takohet me përfaqësuesit e Serbisë pa kurrfarë kushti”, deklaroi Maliqi.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, fillimisht në qershor, dhe më pas në korrik të vitit 2021.

Kujtojmë se kancelari gjerman, Olaf Scholz të mërkurën ka pritur në takime të ndara, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara