Gjykata Supreme e Kosovës ka thënë se deklaratat e Qeverisë në detyrë, e cila kishte shprehur shqetësim pas shfuqizimit të Udhëzimit Administrativ për pajisjet fiskale dhe softuerët elektronikë fiskalë, janë të papranueshme dhe ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit.
Në një njoftim për media të mërkurën, Supremja e cilëson reagimin e Qeverisë në detyrë si tendencioz dhe ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.
Sipas saj, reagimi përbën keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore dhe shkel një nga themelet e rendit kushtetues të Kosovës – respektimin e pavarësisë së gjyqësorit.
“Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi, dhe si të tilla duhet të respektohen nga të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë”, thuhet në deklaratë.
Supremja sqaron se vendimi për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ është marrë për shkak se ministri në detyrë nuk ka pasur kompetencë ligjore për të nxjerrë një akt të tillë, duke theksuar se akti nënligjor nuk ishte në përputhje me rregullat dhe kohën e miratimit të tij, siç kërkohet me ligj.
Gjykata ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje autoritetin e saj përmes deklaratave politike dëmton besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë të pavarësisë së saj.
“Presim që institucionet shtetërore të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si kusht themelor për funksionimin e shtetit ligjor”, përfundon reagimi i Gjykatës Supreme.
Qeveria në detyrë, pas vendimit të Supremes, kishte deklaruar se vendimi është rezultat i një interpretimi të njëanshëm dhe arbitrar të ligjit, duke kritikuar ndërhyrjen e gjyqësorit në vendimmarrjen ekzekutive. Ata kanë paralajmëruar se do të ankohen në instancat e tjera gjyqësore.
Sipas vendimit të Supremes, një deputet i zgjedhur nuk mund të nxjerrë edhe vendime si ministër në detyrë.
Kosova ngritet për një pozitë në ranglistën e FIFA-s
Vdes në moshën 93-vjeçari disenjatori i famshëm italian, Val...
Merz: Evropa do të shmangë çdo përshkallëzim me SHBA
Federata e Futbollit të Marokut paralajmëron se do të ndërma...
Komandanti i KFOR-it takohet me Sveçlën, diskutojnë për situ...
Policia sulmohet nga tre burra pasi ndërhyn në një rast të d...