Rashiq: Regjimi i Vuçiqit është diktaturë, studentët përfaqësojnë rezistencë

20:05 | 5 Qershor 2026
E H

Nenad Rashiq, lider i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe ministër në institucionet e Kosovës, ka deklaruar se pushteti në Serbi përfaqëson “një diktaturë në veprim” që, sipas tij, duhet të bjerë në një moment.

Rashiq ka shprehur mbështetje për lëvizjen studentore në Serbi, e cila prej muajsh po proteston kundër qeverisë së presidentit serb Aleksandar Vučić. Në një video të publikuar më 4 qershor, partia e tij ka shprehur solidaritet me studentët protestues, duke theksuar mesazhin “Unë nuk dorëzohem dhe prandaj qëndroj”.

Sipas Rashiqit, mbështetja për studentët nuk është vetëm politike, por edhe morale dhe shoqërore, duke i cilësuar ata si një “fuqi intelektuale” që sfidon një sistem me “trajta autoritare”.

Megjithatë, një memorandum i lëvizjes studentore në Serbi, të cilën ai e mbështet, e trajton Kosovën si “pjesë përbërëse të Serbisë”, çka krijon një dilemë politike në raport me pozicionin e institucioneve të Kosovës, pjesë e të cilave është edhe vetë Rashiq.

Në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, partia e tij garon si rivalja e vetme e Listës Serbe, ndërsa Rashiq thekson se kundërshtimi ndaj asaj që e quan “zgjatim politik të Beogradit” është i përbashkët me studentët protestues në Serbi.

Ai e ka përshkruar situatën politike në Serbi si një sistem ndaj të cilit, sipas tij, po rritet rezistenca shoqërore dhe intelektuale.

Duke komentuar këtë qasje, analisti Gogiq tha për Radio Evropa e Lirë: “I gjithë ky diskurs lidhet me një lloj shkathtësie politike – krijimin e mesazheve të dykuptimta që mund të tërheqin mbështetje nga grupe të ndryshme votuesish”, përfundon Gogiq.

Shpërndaje në rrjete sociale