Policia: Do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore në gjithë Kosovën

14:06 | 4 Prill 2020

Policia e Kosovës ka njoftuar se do të marrë të gjitha veprimet policore konform autorizimeve ligjore në tërë Kosovën.

Zyra për Informim pranë Policisë së Kosovës ka thënë se krahas futjes në karantinë të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Zveçanit do të bashkëpunojë me institucionet kompetente përfshirë edhe ato lokale  me qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, nga ora 18:00 e së premtes, janë futur në karantinë, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili tha se vendimi është marrë nga shtabi i krizës.

Ndaj këtij vendimi kanë reaguar partitë opozitare në vend.

Gazeta Express ka pyetur Policinë e Kosovës se cilat janë masat që do të marrin lidhur me gjendjen e krijuar në komunat veriore të Kosovës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se bazuar në urdhërin operativ për veprim ndaj Covid-19 do të ndërmarrë të gjitha veprimet policore në tërë territorin e Kosovës.

“Policia e Kosovës, bazuar në urdhrin operativ për gatishmëri dhe veprim ndaj COVID-19, do ti ndërmerr të gjitha veprimet policore konform autorizimeve ligjore që ka, në të gjitha rajonet e Kosovës”, kanë deklaruar Zyra për Informim e Policisë të shtunën.

Tutje, Policia kanë thënë se do të bashkëpunojnë edhe me institucionet locale me qëllm të parandalimit të përhapjes së virusit.

“Bazuar në situatën dhe rrethanat e krijuara nga pandemia, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit dhe me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve, PK-ja do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet  kompetente, duke përfshirë edhe ato locale”, kanë deklaruar nga PK.

Ndërkaq sot Kryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës për degën e Mitrovicës së Veriut, Gonxhe Çaushi sot ka folur për gjendjen e rëndë që është krijuar në veri të Kosovës pas imponimit të orës policore të Serbisë si dhe vendimit të autoriteteve serbe për të karantinuar komunat kosovare të Mitrovicës Veriore dhe Zveçanit.

Në një postim në faqen e saj facebook ajo e ka bërë bashkëpërgjegjëse për dorëzimin e sovranitetit të Kosovës, qeverinë në largim të Kurti duke thënë se ka “ lëshuar leje për strukturat paralele serbe që të administrojnë në mënyrë autonome masat kundër pandemisë brenda shtetit tonë”.

Anëtari i kryesisë së PDK, deputeti Abelard Tahiri, ka thënë se është tepër shqetësues fakti se Beogradi zyrtar e ka futur në karantinë veriun e Mitrovicë dhe Zveçanin, ndërsa kryeministri i shkarkuar Albin Kirti po heshtë.

Kurse nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka reaguar me anë të një postimi në Facebook rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

“Serbia vendos në karantinë komunat e pjesës veriore të Kosovës. Ku janë institucionet e vendit që nuk veprojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi?!”, ka shkruar Isufi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara