Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zhvillimin e infrastrukturës përkatëse ta vendosë në krye të prioriteteve strategjike të vendit.
Sipas Odës Amerikane, një orientim i tillë jo vetëm që do të përmirësonte sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, por do të thellonte edhe më tej partneritetin strategjik me SHBA-në.
Në reagimin e saj, Oda vlerëson se sektori energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentrale të vjetruara me linjit, ndërsa importi i energjisë elektrike mbetet një barrë e konsiderueshme financiare. Shtimi i kërkesës për energji, remontet e planifikuara të kapaciteteve ekzistuese dhe luhatjet e tregut ndërkombëtar po e bëjnë gjithnjë e më të domosdoshëm diversifikimin e burimeve energjetike.
Po ashtu, theksohet se në Evropën Juglindore po zhvillohen projekte të rëndësishme për infrastrukturën e LNG-së dhe ndërlidhjet energjetike, të cilat po krijojnë mundësi të reja për furnizim më të sigurt dhe më të qëndrueshëm me gaz natyror. Nëse nuk vepron me kohë, Kosova rrezikon të mbetet jashtë këtyre korridoreve të reja energjetike rajonale.
Sipas Odës Amerikane, sfida kryesore nuk qëndron më te disponueshmëria e gazit, por te gatishmëria e Kosovës për të përfituar nga këto mundësi. Kjo kërkon investime në infrastrukturë, përmirësim të kuadrit ligjor dhe rregullator, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me partnerët strategjikë.
Oda vlerëson se qasja në gaz natyror do të ndihmonte në uljen e varësisë nga importet e energjisë elektrike, do të mbështeste integrimin e burimeve të ripërtëritshme dhe do të rriste konkurrueshmërinë e ekonomisë vendore përballë standardeve gjithnjë e më të rrepta të Bashkimit Evropian për emetimet e karbonit.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapa konkretë për integrimin e vendit në rrjetet rajonale të gazit, duke paralajmëruar se vonesat në këtë drejtim mund të zgjasin cenueshmërinë energjetike dhe të kufizojnë potencialin ekonomik të Kosovës.
KQZ: Të shtunën votohet në hapësirat diplomatike të Kosovës ...
Ambasada amerikane përsërit thirrjen: Kosova të hyjë në part...
Prokuroria mobilizohet për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e ...
Kryetari i Mitrovicës së Veriut shoqërohet në polici
Mbyllet përkohësisht rruga “Fehmi Agani” në Prishtinë për pu...
Kurti: Kosova ka potencial për t’u bërë pjesë e historive gl...