N’Odën e familjes Brahimaj në Jabllanicë

12:04 | 3 Janar 2021 | Vlora SELIMI

Është vende që të kthen në kujtesë kohërat e lashta. Traditat në këtë Odë duket se nuk janë harruar, por funksioni sigurisht se nuk i ka mbijetuar kohës.

Oxhaku në mes të dhomës, sfungjerët e shtruar e çilimat tashmë gati të harruar janë ato pjesë që të bien në sy po sa të hysh brenda saj.

Është kjo Oda e familjes Brahimaj nga fshati Jabllanicë të Gjakovës.

Kjo Odë është që para lindjes sime, thotë fëmija më i madh i familjes Brahimaj, Arifi.

Më nostalgji tregon periudhën kur kjo Odë përveç pritjes së mysafirëve e personaliteteve të ndryshme në një periudhë ishte kthyer edhe në ambulancë për banorët.

E duket se Oda ka edhe rregulla brenda saj.

Jo çdo kush mund të jetë pjesë.

“Kjo u kanë e shkatrrume nga lufta por ne s’kemi dashtë ta humbim traditën dhe e kemi rindërtuar. Këtu mbahen tubimet e njëjta. Dasmat e dekat këtu janë mbajt më parë. Kjo ka shërbye edhe si ambulancë në fshat. Mysafiri më i lart duhet mu ulë në krye të vendit”.

E ndonëse në moshë më të re se Arifi, Lahi Brahimaj, tregon kohën kur ai si fëmija më i vogël i familjes ka shërbyer për mysafirët të cilët ishin nga trevat e ndryshme.

“Kom shërbye për mysafiret. I kujtojmë shumë ngjarje. Këtu janë fal edhe gjaqet. Dasmat e dekat në këto oda janë mbajt. Ma herët fëmijët nuk kanë mundur të hyjnë në Odë tash po”.

Ndonëse pothuajse e rrënuar nga lufta e Kosovës, kjo familje vendosi që të rindërtoj serish një dhomë të tillë.

Familja Brahimaj janë munduar që të ruajnë strukturën e Odës.

Odat në kohën më të lashtë në vendin tonë kanë pasur formën e një kuvendi ku burrat e moshuar dhe më të mençur kanë kuvenduar dhe kanë marrë vendime për gjerat e përditshme./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara