Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, mori pjesë në hapjen e Forumit për Politikat Bujqësore (Agricultural Policy Forum – APF) 2026, i cili po mbahet në Prishtinë më 3 dhe 4 qershor, nën temën “Koherenca e Politikave Bujqësore në Evropën Juglindore: Dinamika e Integrimit në BE, Reformat Institucionale dhe Përshtatja ndaj Klimës”.
Sipas njoftimit, Forumi, i organizuar nga Grupi i Përhershëm i Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (SWG) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka mbledhur përfaqësues të institucioneve qeveritare, organizatave ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, partnerëve zhvillimorë, akademisë dhe ekspertëve të sektorit bujqësor nga vendet e rajonit dhe më gjerë.
Në fjalën e tij, Muja theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj reformave që e afrojnë sektorin bujqësor me standardet e Bashkimit Evropian, duke e konsideruar integrimin evropian si parimin kryesor që udhëheq zhvillimin e politikave bujqësore dhe rurale.
“Për Kosovën, përafrimi me Bashkimin Evropian mbetet korniza qendrore që udhëheq reformat tona në bujqësi dhe zhvillim rural. Ne nuk e konsiderojmë integrimin evropian si një detyrim, por si një parim udhëzues për transformimin e bujqësisë sonë. Kosova është e gatshme të kontribuojë më shumë, të marrë pjesë në të gjitha programet evropiane që lidhen me bujqësinë dhe të harmonizojë politikat e saj me standardet e Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike po kanë ndikim gjithnjë e më të madh tek fermerët tanë, duke ndikuar në prodhim, rendimente dhe sigurinë ushqimore. Për këtë arsye, ne po investojmë fuqishëm në rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemeve të ujitjes, si një nga masat kryesore për t’i ndihmuar fermerët të përballen me efektet e ndryshimeve klimatike dhe për të rritur qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor”, tha Muja.
Ai theksoi se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka reformuar skemat e subvencioneve dhe granteve për t’i harmonizuar ato me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP), duke dëshmuar përkushtimin institucional për avancimin e procesit integrues.
Ministri në detyrë Muja vuri në pah se ndryshimet klimatike, sfidat e sigurisë ushqimore, paqëndrueshmëria e tregjeve dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit kërkojnë veprim të koordinuar dhe bashkëpunim më të fuqishëm rajonal, duke theksuar se përshtatja ndaj këtyre sfidave duhet të jetë prioritet për të gjitha vendet e rajonit.
Gjatë forumit po trajtohen temat më të rëndësishme për të ardhmen e bujqësisë në rajon, përfshirë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore, monitorimin e politikave bujqësore në kuadër të Kapitullit 11, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, ripërtëritjen brezore në bujqësi, biodiversitetin dhe pylltarinë, menaxhimin e zjarreve në nivel peizazhi, zhvillimin e sistemeve të njohurive dhe inovacionit në bujqësi (AKIS), si dhe avancimin e harmonizimit të politikave dhe reformave institucionale në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në përmbyllje, Muja theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimit të reformave që kontribuojnë në një sektor bujqësor më konkurrues, më të qëndrueshëm dhe më të përgatitur për integrimin evropian./rtk
LVV gjobitet me 5.100 euro pas ankesës së IKD-së për përfshi...
Mbulohen tabelat me emrat e rinj të rrugëve në Mitrovicën e ...
Rasmus Hojlund kalon përfundimisht te Napoli
Dy të arrestuar për kontrabandim me migrantë në afërsi të Ha...
Shefja e BE-së në Prishtinë: Sa më shpejt, Kosova ka nevojë ...
Provedel në “radarin” e Interit