Kurti: Me Macronin folëm për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE

09:55 | 30 Mars 2026
E.G

Kryeministri Albin Kurti ka hapur mbledhjen e Qeverisë duke njoftuar kabinetin e tij për takimin që ka pasur me presidentin francez, Emmanuel Macron, nw Pallatin Elysee në Paris, takim që tha se zgjati rreth dy orë.

Kreu i Qeverisë tha se me shefin e shtetit francez patën bisedë të thellë e të sinqertë, të përqendruar në tema të bashkëpunimit e integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes.

“Pasditen e së premtes isha mysafir i presidentit të Francës në një takim dhe një drekë pune në pallatin Elysee. Pritja e përzemërt u përcoll me një diskutim të thellë e të sinqertë rreth dy orë që u përqendrua në tema të bashkëpunimit e të integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe të ekonomisë e zhvillimit”, tha Kurti para kabinetit të tij.

Shefi i Qeverisë, gjithashtu tha se me presidentin Macron biseduan për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE e në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Pastaj për rolin e rëndësishëm e të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për bashkëveprimin me aleatët veriatlantik dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”, tha Kurti.

Tutje kryeqeveritari, në mbledhje të ekzekutivit tha se në këtë takim rreth dyorësh me presidentin e Francës, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior ishin çështje të cilat në kontekst të sigurisë së vendit i diskutuan bashkë.