Kurti: Dhuna në familje nuk është problem privat, është krim

21:03 | 25 Nëntor 2025
Q L

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sonte pjesë në hapje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

 Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se secila grua që ndjen frikë gjatë natës, secili fëmijë që ndjenë britma në vend të qetësisë, është alarm për të gjithë ne dhe ky alarm nuk pret. Ai shtoi se shteti ka detyrim të mbrojë, të garantojë siguri dhe drejtësi, sikurse edhe që shoqëria ka detyrimin të mos heshtë.

 “Ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen mbi trauma të cilat nuk janë shëruar, as mbi një kulturë e cila e relativizon dhunën. Atë mund ta ndërtojmë vetëm mbi shërimin, mirëkuptimin dhe një kulturë e cila e refuzon dhunën dhe e vendos dinjitetin e njeriut në qendër. Dhuna në familje nuk justifikohet nga asgjë, askund, asnjëherë, as nga ngarkesa a stresi, e as nga ndonjë traditë a zakon”, tha kryeministri, duke shtuar se krahas ligjit, na duhet guximi shoqëror: guximi për të raportuar e për të thënë “mjaft”.

 Kryeministri Kurti potencoi gjithashtu faktin se Qeveria e Republikës së Kosovës ka punuar me përkushtim për t’i fuqizuar mekanizmat e mbrojtjes dhe drejtësisë, duke theksuar se me punë të përbashkët, kemi arritur që Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022–2026 ta kemi me 94.5% të aktiviteteve të realizuara ose në zbatim.

 Në këtë drejtim, ai përmendi lansimin dhe zbatimin e Protokollit Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës  seksuale, duke standardizuar procedurat për mbrojtje dhe dinjitet; ofrimin e programit psiko-sociale për trajtimin e kryerësve të dhunës; ndihmën juridike falas për viktimat, pa asnjë kusht ekonomik – në fushën civile: për 671 qytetarë, prej tyre 588 gra, dhe në fushën penale: 310 qytetarë, prej tyre 187 gra.

Pastaj, miratimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, që i lehtëson pasojat dhe barrën financiare për rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave; lansimin e masës për punësimin e grave viktima të dhunës, për shkak se punësimi i riintegron ato dhe rithemelon dinjitetin e tyre; ndarjen e 7.3 milionë euro për strehimoret dhe OJQ-të sociale në periudhën 2021–2025, si dhe zgjerimin e databazës nacionale, duke integruar module të reja dhe duke rritur në nëntë numrin e institucioneve që evidentojnë rastet e dhunës.

 Në fund, kryeministri Kurti tha lufta kundër dhunës me bazë gjinore nuk është vetëm çështje e grave, në fakt para së gjithash e mbi të gjitha duhet t’i emancipojmë burrat, djemtë e rinj. ” Është çështje e mbarë shoqërisë, e Republikës, e së bashku mund, duhet dhe do të ndërtojmë një Republikë, ku drejtësia triumfon e pabarazia bie. Do ta bëjmë këtë shoqëri më humane, më të barabartë dhe më të drejtë bashkë”, tha ai.

  

Shpërndaje në rrjete sociale