Google ADS

Kriptovalutat| 30 mijë familje u prekën nga ndalimi i prodhimit, disa u detyruan të shpërngulen

09:44 | 21 Maj 2022
S D

Kriza energjetike në Kosovë solli ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, duke bërë kështu që të prekën rreth 30 mijë familje në Kosovë, raporton arbresh.info.

Njohës të teknologjisë blockchain thonë se një ndalim i tillë solli largimin e shumë përdoruesve nga Kosova.

Ndalimi i prodhuesve në Mitrovicën Veriore po përkrahet nga komuniteti i teknologjisë blockchain, pasi që forma e punës në atë pjesë është ilegale dhe jo në dobi të këtij biznesi.

Në një intervistë për arbresh.info, Milot Mehmeti, ekonomist-njohës i teknologjisë blockchain, për arbresh.info, ka folur për efektet anësore të ndalimit të kësaj veprimtare në Kosovë.

Arbresh.info: Tash e sa muaj nuk kanë qenë duke funksionuar nëpër Kosovë aparatet për prodhimin e kriptovalutave, si shkak i krizës energjetike e që kjo solli vendimin nga ana e Ministrisë së Ekonomisë për aq sa zgjasin masat emergjente, kjo në përputhje me Ligjin për energji.

Sa ka ndiku kjo në të hyrat e përdoruesve?

Mehmeti: Për më shumë se 3 muaj që nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar është ndaluar mihja e kriptovalutave “proof of work”. Kjo ka ndiku shumë të komuniteti i teknologjisë blockchain të cilëve ju është bë e pamundur të gjenerojnë kriptovaluta me pajisjet e tyre kompjuterike. Ka pas raste – individ të cilët janë largu nga vendi për këtë arsye. Prej statistikave tona diku rreth 30 mijë familje janë prek nga kjo ndalesë.

Arbresh.info: Sa ka qenë adekuate ndalimi i tyre deri në këtë kohë?

Mehmeti: Për shkak të problemeve me mungese të energjisë elektrike në sezonin e dimrit ka qenë e nevojshme paraprakisht të bëhen analiza në mënyrë që të normalizohet furnizimi  e jo të merret vendim i shpejtë siç ka ndodh pa asnjë analizë për efektet anësore.

Arbresh.info: Kemi parë që Policia e Kosovës është duke vazhduar me aksione për të parandaluar punën e disa paisjeve që kanë hyrë në formë ilegale pa doganë në veri të vendit.

Si e shihni ju si komunitet këtë?

Mehmeti: Aksioni i policisë në veri të Mitrovicës është shumë -shumë i nevojshëm edhe përkrahët nga i gjithë komuniteti. Pajisjet të cilat janë fut pa doganim dhe të cilat nuk paguajnë energjinë elektrike duhet të konfiskohen dhe të dënohen personat të cilët bëjnë krime të tilla.

Arbresh.info: A e dëmton kjo formë e punës ilegale veprimtarin e atyre që e zhvillojnë në formë legale?

Mehmeti: Besojmë që me skadimin e vendimit për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave do të fillojmë me hapat e rregullimit ligjor dhe tatimit të kësaj veprimtarie, e pastaj do të jetë ma e lehtë për identifikimin e shkelësve dhe atyre që punojnë drejtë.

Arbresh.info: Sa kanë fillu me i besu kësaj veprimtarie qytetarët në Kosovë?

Mehmeti: Qytetarët e Kosovës janë shumica me moshë të re, të gjithë me qasje ne internet, ku sipas statistikave e kemi përdorueshmërinë e internetit më të madhen në rajon për kokë banori. Në këtë mënyrë është lehtë të informohemi për këtë teknologji. Normal për shkak të natyrës së njeriut si gjithmonë në secilën fushë do të  ketë entitete të cilët kamuflohen në ombrellën e teknologjisë dhe krijojnë skema mashtrimi në të cilat fatkeqësisht bijën pre njerëzit e painformuar mirë.

Arbresh.info: Mesazhi juaj për të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në këtë veprimtari?

Mehmeti: Mesazh për të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë në teknologjinë blockchain me specifikisht në kriptovaluta të mos rrezikojnë shuma të mëdha siç dëgjojmë në raste kur dikush hyn edhe kredi për të investu. Por, të investojnë mençur duke u informu për projektin dhe duke mos fut me shumë se 2% të buxhetit total të tyre.

Që nga ndalimi i prodhimit të kriptovalutave, Policia e Kosovës ka raportuar mbi 600 pajisje dhe kartela grafike të sekuestruara.

Kujtojmë se prodhimi i kriptovalutave u ndalua nga institucionet e Kosovës më 29 dhjetor 2021, pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan me shumicë votash vendosjen e masave emergjente në furnizim me energji elektrike./S.D/arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme