Parandalimi i çdo forme të dhunës edhe më tej mbetet sfidë që kërkon qasje serioze, sidomos te të miturit. Trajtimet nëpër qendra sociale shënojnë rritje, megjithëkëtë këto qendra shpesh përballen me mungesë të punonjësve. Qendra për Punë Sociale në Fushë Kosovë është njëra nga institucionet që ka mungesë stafi dhe nevojë urgjente për rritjen e kapaciteteve.
Mungesa e punonjësve socialë, si masë parandaluese e dhunës, që përfshihet edhe në kushtetutën e vendit, mbetet sfidë serioze, aq më shumë kur shumë institucione shkollore hezitojnë të ngrenë rrugë komunikimi për bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale dhe Policinë në parandalimin e çdo forme të dhunës.
“Nuk kemi shumë raste të dhunës në baza gjinore, por nëse kemi raste të dhunës seksuale, është QPS-ja ku i referojmë rastet. Mirëpo, nga ana e tyre kemi pak neglizhencë, pasi nuk kanë kushte adekuate për t’u përgjigjur. Është një formë trekëndëshi bashkëpunimi, por në shumë raste familja është problemi dhe ne nuk mund të reagojmë shumë pa i referuar rastet në QPS”, tha Vahide Gjyrevci, psikologe e shkollës “Selman Riza” në Fushë Kosovë.
Në Qendrën për Punë Sociale, nga viti në vit vazhdojnë të trajtohen raste të fëmijëve të braktisur, fëmijëve nën kujdestari të të afërmve, si dhe fëmijëve që marrin masa dhe trajtime nga gjykatat.
“Janë vetëm katër punëtorë të shërbimeve sociale, numër shumë i vogël për nevojat reale të banorëve. Çdo ditë paraqitemi në polici për raste të fëmijëve të keqtrajtuar dhe të neglizhuar, dhunë në familje, fëmijë të braktisur dhe viktima të dhunës seksuale. Jemi të ngarkuar edhe me seanca ligjore. Numri i zyrtarëve është i vogël, ndërsa kemi shumë fëmijë problematikë, sidomos të moshës 14-vjeçare që nuk i nënshtrohen përgjegjësisë penale dhe kanë nevojë për trajtim e vlerësim të veçantë nga shërbimet sociale. Ligji i ri për shërbime sociale na obligon të punojmë edhe në parandalim, por me numrin aktual të stafit kjo është shumë e vështirë”, tregoi Abaz Gjikollit, drejtor i QPS në Fushë Kosovë.
Mungesën e stafit dhe nevojën urgjente për rritjen e kapaciteteve e kanë pranuar edhe në Komunën e Fushë Kosovës.
“Komuna e Fushë Kosovës ka identifikuar nevojat dhe sfidat me të cilat përballet Qendra për Punë Sociale, përfshirë mungesën e stafit dhe problemet në logjistikë, dhe është duke ndërmarrë hapa konkretë për adresimin dhe zgjidhjen e tyre, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi”, tha me anë të një email-i Albana Gashi, drejtoreshë e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale
Dhuna në baza gjinore dhe parandalimi i saj është obligativ ndaj secilit institucion të vendit. Ajo parandalohet kur institucionet veprojnë bashkë, në kohë, dhe kur zëri i viktimës nuk mbetet i vetëm./rtk
Mexhiti i VLEN reagon disa orë para protestës: Provimi i jur...
Qendra Sociale në Fushë Kosovë me nevojë urgjente për staf
Ultimatumi i ri i Trumpit ndaj Iranit: Koha po mbaron
Përurimi i Unazës së Brendshme, Abdixhiku: Punët e mëdha nuk...
Maqedonci: Në Gjakovë do të prodhohen municione 5.56mm dhe 7...
Netanyahu: Izraeli kontrollon tashmë 60% të Rripit të Gazës