Barcelona e pandalshme në ‘Camp Nou’, mposht Betisin

23:52 | 17 Maj 2026
E.G

Barcelona e ka mbyllur sezonin në mënyrë perfekte në shtëpi, duke triumfuar të dielën me rezultat 3-1 ndaj Real Betis në “Camp Nou”, në kuadër të xhiros së parafundit në La Liga.

Kampionët e Spanjës realizuan një arritje historike, duke u bërë skuadra e parë pas sezonit 1959/60 që përfundon gjithë sezonin pa humbje në shtëpi.

Barcelona e nisi ndeshjen shumë fuqishëm, duke dominuar plotësisht minutat e para. Mysafirët menduan se kishin kaluar në epërsi në minutën e 23-të përmes Abde Ezzalzoulit, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Pak minuta më vonë, Raphinha zhbllokoi rezultatin me një goditje fantastike nga ndërprerja, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Alvaro Valles.

Betisi provoi të reagojë, por portieri Joan Garcia bëri një pritje të rëndësishme ndaj Abdes, ndërsa katalunasit ruajtën epërsinë deri në fund të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë ritmi i lojës ra disi, ndërsa mysafirët u bënë më kërkues pas inkuadrimit të Isco. Megjithatë, Barcelona përfitoi nga një gabim i rëndë i Héctor Bellerínit, me Raphinhan që realizoi golin e dytë personal dhe të qetësisë për vendasit.

Betisi u rikthye përkohësisht në lojë pas një penalltie të realizuar nga Isco, që shënoi golin e tij të parë sezonal. Antony ishte shumë pranë barazimit me një goditje të bukur nga distanca, por në momentet vendimtare João Cancelo vulosi fitoren me një supergol nga jashtë zonës.

Kjo ishte fitorja e 12-të e Barcelonës ndaj Betisit në 15 përballjet e fundit mes tyre, ndërsa trajneri Manuel Pellegrini regjistroi humbjen e 29-të në karrierë ndaj gjigantit katalunas.

Shpërndaje në rrjete sociale