Krerët e federatave sportive me vepra penale: Deputeti i PDK-së “përplaset” me ministrin e sportit

14:47 | 22 Qershor 2022
A Z

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrullah Çeku para disa ditësh e ka lëshuar Udhëzimin Administrativ për Kushtet dhe Procedurat e Themelimit, Licencimit dhe Rivlerësimit të Federatave dhe Organizatave Sportive.

E kjo gjë ka ngjallur diskutim në mbledhjen e sotme të Kuvendit  në mes deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, dhe Çekut.

“Asnjë federatë nuk do të licencohet në rastet kur në organet drejtuese të tyre përgjegjësitë i ushtrojnë personat e dënuar me vendim të formës së prerë në ndonjë nga veprat penale të përcaktuara në Kapitullin XXXIII të Kodit Penal të cilat ndërlidhen me korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”, thuhet në këtë Udhëzim Administrativ.

Haxhiut tha se me këtë Udhëzim Administrativ, Ministria e Sportit u ka hapur rrugë kriminelëve që të udhëheqin federata.

“Ju keni nënshkruar një Udhëzim Administrativ që legjitimon kriminelët e dënuar me vepra penale nga më të ndryshmet që të jenë pjesë e federatave sportive. Sipas nenit 11 të këtij udhëzimi administrativ, ju keni thënë: Asnjë federatë nuk mund të licencohet në rastet kur në organet drejtuese të tyre përgjegjësitë i ushtrojnë personat e dënuar me vendim të formës së prerë në ndonjë nga veprat penale të përcaktuara me kapitullin 33 të Kodit Penal të cilat ndërlidhen me korrupsionin zyrtar dhe veprat penale”, tha ai.

“Pra ju keni amnistuar të gjithë kriminelët e dënuar nga kapitujt tjerë të Kodit Penal përfshirë këtu të gjithë ata që kanë kryer vepra terroriste, të gjithë ata që kanë kryer kontrabandim me njerëz, trafikim me narkotikë, vrasje të rëndë, kanosje, rrëmbim, torturë. Pra, të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë në familje dhe janë dënuar për këtë. Ata që janë dënuar për vjedhje të rëndë ose për grabitje të bankave, nesër mund t’i kemi kryetarë të federatave sportive, sepse i keni amnistuar me këtë udhëzim administrativ. Pyetja ime është: I nderuar ministër a jeni i vetëdijshëm çfarë dëmi i keni bërë sportit me këtë udhëzim administrativ. A e dini që keni hapur rrugën për lloj-lloj kriminelë të jenë pjesë e federatave sportive? Cila ka qenë arsyeja dhe motivi që e ndërruat draft-udhëzimin administrativ dhe u hapët rrugë kriminelëve të jenë pjesë e federatave sportive?”, tha Haxhiu.

Ndërsa për këtë reagoj ministri Çeku, ai tha theksoi se me këtë Udhëzim Administrativ Ministria e Sportit do ta ndihmojë sportin, duke iu referuar një pike, ku thuhet: “Rregullore e federatës përkatëse mbi Kodin Etik e harmonizuar plotësisht me Kodin Etik të federatës Ndërkombëtare përkatëse”.

“Kritika më e shpeshtë dhe më e qëndrueshme që kemi dëgjuar deri më tash është që ky udhëzim ka vendosur kritere shumë të larta që mbase mund të jenë ambicioze për licencimin e federatave dhe me këtë mund të jemi edhe dakord, por ky është standardi i ri që e kemi përcaktuar. Përmes këtij udhëzimi administrativ janë përcaktuar kritere të përgjithshme, por edhe specifike për licencim të federatave në mënyrë që të sigurojmë që të njëjtat të zhvillojnë aktivitetet e tyre në përputhje edhe me ligjet tona dhe ligjet dhe rregullat ndërkombëtare sportive”, tha Çeku duke iu përgjigjur Haxhiut.

Përsëri ka reaguar Haxhiu, ai shkoi edhe më larg duke e shndërruar vërejtjen e pyetjen e tij prej deputeti në një akuzë të rëndë ndaj Ministrisë së Sportit.

E Çeku tha se kjo akuzë nuk e ka vendin në Parlament, por në Prokurori.

Ndërsa, ky Udhëzim Administrativ është përmendur shumë para zgjedhjeve të mbajtura në fillim të muajit prill në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), proces zgjedhor ky që kishte ngjallur shumë reagime si nga ligjshmëria e Kuvendit të FFK-së ashtu edhe rreth pastërtisë së kryetarit të rizgjedhur, Agim Ademi, i cili fillimisht ishte dënuar me burg me vendim të formës së premë nga Gjykata Themelore dhe nga Apeli për një çështje jashtë futbollit, por që pastaj rasti i rij u kthye në rigjykim nga pika zero nga ana e Gjykatës Supreme./arbresh.info/