Krasniqi: Gjithçka gati për betimin e kryetarëve në veri

13:16 | 24 Maj 2023
Emir Abduramani

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se gjithçka është gati për betimin e kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Pas mbledhjes së Qeverisë, në konferencë për media Krasniqi tha se për këtë, ata e kanë mbështetjen e plotë të ministrisë që ai udhëheq.

“Nesër do të organizohen seancat e asambleve komunale në zyrat lokale për komunitete. Këtë si ministri e kemi mbështetur, nesër çdo gjë është gati që asamblistët të emërohen dhe kryetarët të betohen që të fillojnë punën e tyre”, ka thënë Krasniqi.

Ai deklaroi se kryetarët dhe asamblistët e rinj do kryejnë detyrat e tyre, konform ligjeve në fuqi.

“Kryetarët do të ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor në komunën ku kanë marrë pjesë. Janë të zgjedhur, i kanë fituar zgjedhjet ata do të jenë në shërbim të qytetarëve. Ligji për Vetqeverisje Lokale parasheh secilin detaj, kështu që kryetarët do të vazhdojnë të punojnë në komunën ku janë zgjedhur”, ka thënë Krasniqi.

Nesër është paralajmëruar që do të bëhet betimi i tre kryetarëve shqiptarë në këto komuna, Izmir Zeqiri, Lulzim Hetemi dhe Ilir Peci.

Ndërkaq në Mitrovicën e Veriut, javën e kaluar është betuar dhe ka marrë detyrën fituesi i zgjedhjeve të 23 prillit, Erden Atiq./Arbresh.info