Ja sa i kushtojnë vendit organizimi i dy palë zgjedhjeve brenda një viti

22:22 | 18 Korrik 2017

Zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit dhe zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor i kanë kushtuar mjaft shumë buxhetit të shtetit.

Kjo pasi zgjedhjet e përgjithshme kanë kushtuar 5 milionë euro ndërsa ato lokale pritet të kushtojnë poashtu rreth 5 milionë euro e që në total shkojnë në 10 milionë euro.

Këto shpenzime me miliona euro, sipas analistit Mazllum Baraliut, do të mund të racionalizoheshin nëse do të vihej një disiplinë më e madhe në shpenzime të KQZ-së dhe komisioneve komunale.

“ Zgjedhjet imponohen dhe ndodhin qofshin në mandatë katërvjeçar, qofshin ato të parakohshme. Por, do duhej që të ketë mekanizma tjerë të sistemit elektoral, ku do të vihej një disiplinë më e madhe në shpenzime të tilla. E këto shpenzime shumë thjeshtë do të mund të reduktoheshin me reformën zgjedhore e cila ka shumë vite që flitet për të por që nuk po zbatohet” ka thënë Baraliu për Indeksonline.

Sipas Baraliut ka mënyra përmes së cilave mund të reduktohen shpenzimet me miliona euro të zgjedhjeve në mënyrë që të kursehet buxheti.

“Unë mendojë që ka pasur mundësi për racionalizim. Në zgjedhjet e ardhshme do duhej të aplikohet reforma zgjedhore. Kjo reformë do të bënte që zgjedhjet të kushtojnë shumë më lirë, kosto të arsyeshme që nuk e ngarkon as qytetarin, buxhetin dhe mundëson realizimin e zgjedhjeve në fakt kohor të saktë dhe me efikasitet” është shprehur Baraliu.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara