Ellis: Kryerja e krimeve nga Policia Ushtarake nuk është provë që Krasniqi ka pasur kontribut

11:30 | 16 Shkurt 2026
E.G

Avokati Aiden Ellis i cili përfaqëson Jakup Krasniqin, ka thënë se kryerja e krimeve nga anëtarët e Policisë Ushtarake nuk është provë që klienti i tij ka kontribuar në këto krime.

Ai tha se ka prova që anëtarët e Policisë Ushtarake kanë rrahur persona të ndaluar, dhe sipas tyre në rast që kanë ekzistuar rregulloret e pretenduara nga Prokuroria, atëherë ato janë shkelur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ka prova që disa anëtarë të Policisë Ushtarake kanë rrahur persona të ndaluar. Por, sa herë një anëtar i Policisë Ushtarake ka ushtruar forcën kundër një personi në ndalim, sipas nesh ka shkelur rregulloren në fjalë. Kryerja e krimeve nga anëtarë të Policisë Ushtarake nuk është provë sipas nesh që zoti Krasniqi të ketë luajtur rol në këto rregullore dhe ky rol të ketë pasur kontribut të konsiderueshëm në kryerjen e krimeve”, tha Ellis.

Avokati theksoi se në këtë çështje gjyqësore kanë qenë shumë dëshmitarë, duke përfshirë edhe 40 prej tyre anëtarë të UÇK-së.

Ai shtoi se përveç njërit dëshmitar, askush tjetër nuk ka thënë se ka parë rregullore të UÇK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale