Dogana e Kosovës sekuestron mbi 3 mijë e 400 adapterë të falsifikuar nga Kina

16:39 | 2 Qershor 2026
E.G

3,480 aksesorësh telefonikë të dyshuar si produkte që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale, në kuadër të kontrolleve për mbrojtjen e tregut dhe luftimin e mallrave të falsifikuara janë ndaluar nga Dogana e Kosovës.

Sipas njoftimit, rasti është evidentuar në Terminalin Doganor në Vërmicë, gjatë kontrollit të një dërgese me origjinë nga Kina, e paraqitur për zhdoganim.

“Pas rivlerësimit të dërgesës dhe kontrollit fizik të realizuar nga zyrtarët doganorë, gjatë ekzaminimit janë identifikuar mallra për të cilat ekziston dyshimi se cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale”, thuhet në njoftim.

Në total janë ndaluar 3,480 copë koka mbushës për telefona mobil me brendin Apple, për të cilat dyshohet se shkelin markën tregtare të mbrojtur.

“Në përputhje me procedurat ligjore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për ndalimin e mallrave dhe njoftimin e palëve relevante për verifikimin e autenticitetit të produkteve”, thuhet më tej.

Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e tregtisë së mallrave të falsifikuara dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe bizneseve legjitime në vend./Arbresh.info