COVID-19 në Shqipëri, vetëm 69 raste të reja në 24 orët e fundit

18:46 | 26 Prill 2021

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë konfirmuar të prekur me coronavirus vetëm 69 persona, por ka një rënie të ndjeshme të testeve të kryera, të cilat kanë qenë vetëm 994.

Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë një person i prekur me coronavirus, ndërsa janë shëruar 737 persona.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tri spitalet rajonale po trajtohen 147 pacientë, 12 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 22 raste në Tiranë, 7 raste në Berat, 6 raste në Fier, 5 raste në Skrapar, 4 raste në Durrës, Elbasan, Vlorë, 2 raste në Kurbin, Kukës, Mirditë, Gjirokastër, 1 rast në Shkodër, Kukës, Lezhë, Gramsh, Lushnje, Përmet, Delvinë, Vau Dejës, Dibër.

Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, një 69-vjeçar nga Tirana e ka humbur betejën me COVID-19.

Që nga shpërthimi i pandemisë me coronavirus në Shqipëri janë konfirmuar 130.606 raste, prej tyre 106.465 janë shëruar, 21.762 janë aktive, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 2.379 pacientë./A2

Lajmet më të lexuara