Çohu identifikon raporte klienteliste midis financimit të partive politike e biznesit

13:43 | 12 Shtator 2018

​Organizata Çohu sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka prezantuar videografin mbi financimin e partive politike dhe ka folur mbi krijimin e raporteve klienteliste mes bizneseve dhe partive politike.
Mënyra e financimit të partive politike në Kosovë, sipas venerimeve të kësaj organizate, që nga krijimi i institucioneve është përcjellë me probleme dhe defekte të shumta, të cilat kanë bërë që ky proces të mbetet i pakontrolluar dhe i pamenaxhuar siç duhet.

Financimi, edhe pse i rregulluar me ligjin e vitit 2010, dhe i ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2012 dhe 2013, tregon shumë probleme dhe zbrazëtira juridike që po e bëjnë këtë ligj të paimplementueshëm dhe të pasuksesshëm në rregullimin e financimit të partive politike.

Duke pasur parasysh që në këtë kohë janë duke u diskutuar ndryshimet në Ligjin për financimin e partive politike, organizata Çohu adresoi problemet ekzistuese lidhur me këtë proces.

Pavarësisht se struktura ligjore përcakton një model të caktuar të financimit, njeh kategoritë e mundshme të financimit dhe përcakton edhe masa disiplinore kundrejt mungesës së transparencës, Ligji për financimin e subjekteve politike mbetet ndër ligjet më të pazbatuara në nivel vendi.

Gjatë hulumtimeve të mëhershme organizatës Çohu ka gjetur se kjo mënyrë e rregullimit të financimit të subjekteve politike ka krijuar hapësirë për krijimin e raporteve klienteliste në mes subjekteve politike dhe bizneseve.

Edhe pse ligji në disa raste ka paraparë masa të kontrollit për parandalimin e raporteve klienteliste, në raportet e auditorit asnjëherë nuk përmenden si gjetje.

Në raportet e auditorit për subjektet politike për vitet 2013-2016, të publikuara nga KQZ, vërehet tendenca e njëjtë e financimit nga donacionet e jashtme. Përveç që në raportet e reja disa nga subjektet politike deklarojnë vlera të mëdha të donacioneve në kontribute për mallra dhe shërbime, këto donacione janë të deklaruara në mënyrë shumë të paqartë.

Në raportet e para të publikuara nga KQZ-ja nuk ishin të paraqitur numrat personalë të personave që kanë dhënë donacione për partitë politike, gjë që ka bërë të pamundur për Çohu-n të identifikojë donatorët dhe të hulumtojë lidhjet e tyre me bizneset për vitet e fundit. Tanimë KQZ ka publikuar si të korrigjuara këto raporte, ku gjenden edhe numrat personalë. Organizata Çohu do të vazhdojë identifikimin e lidhjeve klienteliste në raportet donator-parti edhe për këto vite.

Meqenëse masat e deritanishme ligjore nuk kanë parandaluar raportet e mundshme klienteliste në mes subjekteve politike dhe bizneseve, Çohu konsideron që është e domosdoshme që financimi nga subjektet juridike, të cilat kanë marrëdhënie kontraktuale me institucione publike, të ndalohet plotësisht.

Një e metë tjetër e cila nuk është trajtuar deri më tani është edhe mungesa e transparencës së burimeve dhe shpenzimeve në fushata zgjedhore nga kandidatët. Gjatë fushatave zgjedhore kandidatët e partive politike zakonisht realizojnë fushata individuale me shpenzime shumë të mëdha, të cilat asnjëherë nuk i deklarojnë. Çohu konsideron që shpenzimet individuale të kandidatëve duhet të deklarohen në pasqyrat financiare të subjekteve politike.

Videografi i publikuar sot nga organizata Çohu paraqet në mënyrë vizuale raportet klienteliste që kanë lindur si pasojë e moskontrollimit të financave të partive politike.
Përmes këtij videografi janë publikuar shumat e mjeteve financiare që secila parti politike ka pranuar nga biznese të ndryshme, si dhe numrin dhe vlerën totale e tenderëve që këto biznese i kanë marrë përmes procedurave të prokurimit publik.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara