Cilat kafshë mund të bëhen kurban dhe si bëhet shpërndarja e mishit, flet hoxhë Labinot Maliqi

13:00 | 15 Qershor 2024
K.B

Besimtarët e shumtë myslimanë nesër festojnë Kurban Bajramin.

E simbolika kryesore e kësaj feste është sakrifikimi i një kafshe për kurban.

Imami i Xhamisë në Lagjen e Spitalit “Prof. Dr. Bedri A. Kamberi”, Labinot Maliqi në një intervistë për Arbresh.info ka treguar se cilat kafshë mund të bëhen kurban dhe si bëhet shpërndarja e mishit.

“Natyrisht që në vendin tonë preferohet të theren për kurban, delet, dashat lopët, andaj edhe brenda mundësive, besimtarët janë të lutur dhe të urdhëruar që të therin kurban për Zotin dhe nëpërmjet kësaj sakrifice synohet afrimi te Zoti, falja e mëkateve dhe shpërblime të pafundme që janë premtuar nga Zoti ynë i lartë madhëruar.”, tha Maliqi.

Ai po ashtu tregoi edhe disa nga kriteret të cilat duhet kafsha ti plotësojë që sakrifica të jetë e vlefshme dhe e pranuar nga Zoti.

“Së paku gjashtë muaj të mos jetë e lënduar, të mos jetë e gjymtuar, të mos ketë pengesa në shikim, të mos jetë e sëmurë e kështu me radhë. Ata të cilët kanë mundësi dhe duan të therin kurban duhet konsultuar me shitësin e kafshëve që të marrin një kafshë që të jetë e shëndoshë dhe të jetë së paku mbi gjashtë muaj e rritur për të qenë e vlefshme dhe e pranueshme nga Zoti”, tha ai.

Ai theksoi se ata që nuk kanë mundësi të therin kurban, të tillëve duhet të iu dhurohet mish nga ata të cilët kanë mundësi ta therin.

“Ata që kanë mundësi të therin kurban duhet ta bëjnë, medoemos, është obligim fetar, të therin kurban besimtarët me rastin e Kurban Bajramit, për ata që kanë mundësi të therin kurban duhet të therin kurban, por ata që nuk kanë mundësi nuk obligohen për diçka të tillë, të shtojnë lutjet falënderimet ndaj Zotit dhe ta shijojnë në maksimum këtë festë.”, u shpreh ai.

Sa i përket ndarjes së mishit të kurbanit, imami i kësaj xhamie tha se rekomandohet që një pjesë të ndalet për vete, një për familjen e ngushtë dhe një pjesë për nevojtarët, skamnorët të cilët i njeh dhe ke mundësi për t’ia dhuruar personalisht.

Në fund ai ndau mesazhin e tij për të gjithë besimtarët me rastin e kësaj feste duke iu uruar lumturi e lutje të pranuara./Arbresh.info/Erolinda Gashi/

Të ngjashme