Ronaldo apo Messi? – Mbappe jep parashikimin e tij se kush do të shënoj më shumë gola në Botëror

22:44 | 8 Qershor 2026
D.H

Ylli i Real Madridit dhe kapiteni i Francës, Kylian Mbappe, ka bërë disa parashikime interesante për Kupën e Botës 2026, duke zgjedhur Cristiano Ronaldon para Lionel Messit në garën për gola, por duke vendosur veten në krye të të gjithëve.

Gjatë një sfide futbollistike me krijuesin e përmbajtjes Finn Agostinelli dhe platformën Sorare, sulmuesi francez u përball me një seri zgjedhjesh të shpejta për të përcaktuar se kush do të shënojë më shumë gola në Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Kur u pyet të zgjidhte mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, Mbappe i dha përparësi idolit të tij, Ronaldos, duke besuar se portugezi do të jetë më efikas para portës gjatë turneut.

Megjithatë, në përballjen finale mes tij dhe Ronaldos, sulmuesi i Real Madridit nuk pati asnjë dilemë, duke zgjedhur veten si golashënuesin më të mirë të Kupës së Botës 2026.

Gjatë sfidës, Mbappe tregoi besim të madh edhe te talenti spanjoll Lamine Yamal, të cilin e vendosi përpara emrave si Florian Wirtz, Memphis Depay dhe Erling Haaland.

Francezi gjithashtu mbështeti bashkëlojtarin e tij te Real Madridi, Vinicius Junior, duke parashikuar se braziliani do të shënojë më shumë gola se Yamal dhe Harry Kane. Më pas, ai vendosi Messin para Viniciusit, përpara se ta rendiste Ronaldon mbi argjentinasin.

Botërori 2026 ka një domethënie të veçantë për Mbappen, i cili ende mban mend zhgënjimin e finales së vitit 2022 kundër Argjentinës. Edhe pse realizoi një hat-trick historik në atë ndeshje, Franca u mposht pas ekzekutimit të penalltive.

Sulmuesi pranoi se rikthimi te kujtimet e asaj finale mund të zgjojë “demonët e së kaluarës”, ndaj ka zgjedhur të mos e rishikojë ndeshjen.

Franca do ta nisë aventurën në Kupën e Botës në Grupin I, ku do të përballet me Senegalin, Irakun dhe Norvegjinë.

Ndërkohë, Mbappe synon të shtojë 12 golat që ka realizuar në dy Botërorët e tij të parë dhe të afrohet me rekordin historik prej 16 golash, që mbahet nga Miroslav Klose./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale