Bildt publikon pamjet e mobilizimit masiv të forcave ruse në drejtim të Ukrainës

13:34 | 24 Janar 2022

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Carl Bildt, ka publikuar disa pamje në të cilat siç ka thënë ai, shihet vazhdimi i grumbullimit masiv të forcave të Rusisë në drejtim të Ukrainës.

Madje, siç ka vlerësuar ai, bëhet fjalë për një përqendrim të forcave ushtarake në përmasa që Evropa nuk ka pare prej dekadash.

“Këtu janë tanket e vjetër T72 në rrugën e tyre për në zonën e konfrontimit. Europa nuk ka parë një përqendrim të forcave ushtarake të kësaj përmasash për dekada”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndryshe, Bildt ditë më parë kishte shprehur shqetësimin rreth planeve që Rusia ka ndaj Ukrainës.

Bildt ishte shprehur se në rast se ndodh pushtimi i Ukrainës, në Evropë do të ndodhi një luftë e madhe me pasoja të thella.

“Nëse ndodh pushtimi i Ukrainës nga Rusia, do të ndodhë një luftë e madhe evropiane me pasoja shumë të thella. Nuk ka gjasa të kufizohet brenda territorit të Ukrainës”, kishte shkruar Bildt.

Reagimi i tij vjen në ditën kur Shtetet e Bashkuara urdhëruan anëtarët e familjeve të punonjësve të qeverisë në ambasadën e vendit në Kiev të largoheshin dhe Mbretëria e Bashkuar tërhoqi një pjesë të stafit të ambasadës mes frikës së shtuar se Rusia mund të pushtonte Ukrainën.

Lajmet më të lexuara