Mehaj priti kryetarin e federatës “Vatra”, biznesmenin nga Kosova dhe lobuesin e çështjes kombëtare në SHBA, Elmi Berisha

20:06 | 27 Janar 2022

Biznesmeni Elmi Berisha, kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra” është pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

Në këtë takim sipas njoftimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bashkëpunimit me komunitetin shqiptaro-amerikan në përgjithësi dhe me Federatën Panshqiptare “Vatra”.

“Mërgata jonë në SHBA me “Vatrën” në krye, si dhe mërgata jonë kudo në Botë, janë forca dhe energjia jonë e pazëvendësueshme.
Me kënaqësi të veçantë sot prita kryetarin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, z. Elmi Berisha, të shoqëruar nga drejtori gjeneral ekzekutiv i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, z. Naim Dedushaj.

Me këtë rast, diskutuam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me komunitetin shqiptaro-amerikan në përgjithësi dhe me Federatën Panshqiptare “Vatra”, në veçanti, si organizata me e vjetër për mbrojtjen e interesave tona kombëtare. Takimi ishte në frymën e diskutimeve në vazhdimësi që kemi zhvilluar edhe gjatë vizitës sime të mëhershme te “Vatra” në New York”, ka shkruar Mehaj.

Berisha të mërkurën është pritur në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kryeministri Kurti dhe z. Berisha u pajtuan që Qeveria e Kosovës dhe VATRA, si dhe të gjitha shoqatat e tjera relevante të vullnetit të mirë, duhet të punojnë së bashku për të promovuar vlerat dhe jetën e shqiptarëve kudo, si dhe të forcojnë praninë politike në vendet partnere të aleancës strategjike. Kryeministri z. Albin Kurti dhe kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha u pajtuan që të fillojnë një linjë të re komunikimi dhe bashkëpunimi frytdhënës në interes të kauzës sonë të përbashkët kombëtare si në rrafshin diplomatik, ekonomik, dhe lobues për komplet etnikumin e trevave shqiptare”, thuhej në komunikatë..

Berisha është lobues i madh i çështjes kombëtare në Washington ndër vite.

Kurse, nga vitet 2000 deri në 2006 ka qenë përfaqësues politik i presidentit Rugova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe pranë zyrës së senatorit Bod Dole, Ambasador nderi i Kosovës në SHBA.

Ai është kryetari i parë nga Kosova i Federatës Panshqiptare.

Berisha më herët kishte deklaruar se pjesë e rëndësishme e strategjisë së “Vatrës”, sipas tij, është mobilizimi për atë që Federata e di më së miri dhe ajo është lobimi në Washington, sepse është vazhdim i traditës vatrane 108 vjeçare dhe përkushtimit të saj për marrëdhënie të forta miqësie me Shtetet e Bashkuara.

“Për mua, kjo pikë është në ‘rend të parë të ditës’ nisur nga sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, Shqipëria dhe viset shqiptare në rajon. Nisma e “Vatrës”, mbështetet tek përvoja historike e saj dhe e bashkësisë shqiptare-amerikane në këtë fushë, që do t’i përmbahet rregullave dhe ligjeve të përcaktuara për influencim dhe lobim. Mekanizmat e financimit janë të dobishme për ta bërë më të lehtë dhe funksionale punën e “Vatrës”. Burimet kryesore të financës do të mbështeten në donacione direkte dhe organizime vjetore për ngritje të fondeve. Nisur nga përvoja e deritanishme, organizimet të tilla kanë sjellë rezultate të mira për financimin e “Vatrës”. Ndërkohë mund të identifikohen mundësi të reja për mbështetje financiare nga institucionet relevante amerikane”, ishte shprehur Berisha./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara