Aty ku prehen eshtrat e atij që sakrifikoi për lirinë e atdheut, kullat qëndrojnë ende mbi themelet e tyre, të forta, të palëkundura, duke ngërthyer brenda vetes shumë histori, dokumente, fotografi e objekte, të cilat flasin për një epokë në vete dhe të lavdishme të këtij heroi shqiptar.
Këtu është i ruajtur edhe flamuri kombëtar shqiptar.
Bëhet fjalë për kompleksin e kullave të Boletinëve në fshatin Boletin të komunës së Zveçanit, i ngritur në fund të shekullit XIX, i cili tani shërben si vendbanim i fortifikuar familjar i Boletinëve, që vizitohet nga mijëra qytetarë gjithandej trojeve shqiptare.
Stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili me krenari flet për origjinën e tij ka rrëfyer për Arbresh.info historinë e familjes së tij, si dhe origjinën e të parëve të Boletinëve.
“Historiati i vendit është shumë i lashtë, prandaj origjina e familjes tonë vjen qysh nga fshati Isniq, data është viti 1750, bëhet fjalë për stërgjyshin e Isa Boletini, Hajdarin, kur kanë ardh këtu në Boletin, vendi ka qenë jashtëzakonisht i pasur sepse përballë Boletinit, është ajo Bjeshka e Majdanit dhe aty është nxjerrë guri i njohur për gurtë e mullirit, pesë gjeneratat e familjes tonë kanë punu më këtë guri i cili i ka pre krejt territorin ballkanik”, tregon ai.
Sipas tij, Isa Boletini ka lindur në dy epoka të rëndësishme të historisë kombëtare, atë të Lidhjes së Prizrenit dhe të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Isa Boletini ka lindur në dy periudha shumë të rëndësishme të historisë tonë kombëtare. Në epokën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në epokën e Pavarësisë së Shqipërisë. Isa ka lindur nga baba Ademi dhe nëna Ajshe, këtu në Boletin më 17 janar të vitit 1864, ai është edukuar në atë frymën më të madhe të familjes së vet, dhe qysh i ri 15 vjeç, pjesëmarrja e tij ka qenë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe pastaj nga kjo periudhë kohore, ai 35 vjet nuk iu ka nda çështjes kombëtare, ai u gatua, u ndërtua dhe u frymëzua nga familja dhe meqenëse kontributi i Isës ka filluar në vitin 1881 me betejën e Shlivovës me 14 prill, së bashku me vëllain e tij Ahmetin e filloi karrierën e tij ushtarake”, tregon ai.
“Këtu është flamuri personal i Isa Boletinit, flamuri nga viti 1910, për herë të parë e ka përdorë në Kuvendin e Isniqit, e ka bë pajtimin historik më 4 prill 1910, dhe pas gjashtë dite me këtë Flamur ka hyrë në betejën më të përgjakshme të asaj kohe, ky flamur është rujtë me përkushtim nga vetë nipi i Isa Boletinit, sekretari i tij personal Tafil Boletini, një njeri i cili krejt jetën e ka shoqëruar Isën”, tregon ai.
“Shqiponjën origjinale që e mban nga ajo kohë, ne e kemi prerë, kurse bezën e kanë marrë për detyrë ushtria jonë Forcat e Sigurisë së Kosovës, i kemi bë disa kopje dhe kjo është origjinali që e kemi sjellë këtu”.
“Jemi shku në Prishtinë e kanë sjellë këtu në Boletin, edhe ai e ka pyet Isën qysh po do me ja lënë krahët, krahët thotë te poshtë sepse ne akoma nuk i kemi çliruar tokat shqiptare, në anën tjetër e kemi xhamadanin, i cili është punu nga nëna e Isës, Ajshja, është një xhamadan shumë vjeçar, është punu me një përkushtim jashtëzakonisht të madh, në kohën e regjimit komunist”, vazhdon ai.
E vizitorë ka nga të gjitha trojet shqiptare e më gjerë, për t’u njohur nga afër me historinë dhe kontributin e heroit ndër vite.
“Në okupim kanë ardhë njerëzit shumë herë me na uru festën, e kemi gëzu atë festë po e kemi ditë që jemi në okupim, pas çlirimit të Kosovës, filloj dhe restaurimi i kullës tonë, kur e kemi festu këtu nuk ka pas shumë njerëz, kjo pjesa veriore ka ndiku shumë edhe politikisht tek njerëzit, pastaj kishin atë frikën, por nga viti 2008, 2009, 2010 sidomos 100 vjetori i Pavarësisë kur filloi me të madhe e morr hovin ky vend, me milionë shqiptarë e vizitojnë këtë vend, festa e nëntorit, dhe Kulla e Isa Boletinit, janë epiqendra e festës kombëtare këtu në Kosovë” , përfundon ai.
Kullat e Isa Boletinit, u bë simbol i traditës patriotike dhe qëndresës shekullore.
Ana perëndimore e këtij kompleksi është e mbrojtur nga mure të forta dhe një terren të pjerrët, ndërsa pjesa lindore, pa mbrojtje, ofronte mundësi të shkëlqyera për vrojtim.
Oborri i kullave është i rrethuar me mure të punuar nga gurë të gdhendur, të lidhur me frënxhi, dhe përmban një oxhak që e kompleton strukturën e tij karakteristike./Arbresh.info/Rita Jakupi/
Hamza premton 50% rritje të pagave për mantelbardhët, zero k...
UEFA e dënon Serbinë për tentimin e tifozëve për ta djegur f...
Tre vjet burgim për policin që plagosi një qytetar në veri t...
INSTAT: 1 në 5 persona në Shqipëri jetojnë në prag varfërie
Nagavci: 1,977 studente përfituan bursa STEM, në vlerë të 1 ...
Rusia kryen sulme masive ndaj objekteve energjetike të Ukrai...