Kolegjiumet profesionale të kirurgëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë hyrë në javën e tretë të grevës, me të vetmen kërkesë, rritjen e pagave në nivel të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Përfaqësuesi i grevistëve, kirurgu Arsim Morina, tha për Radio Kosovën se gjithsej 157 kirurgë janë në grevë.
Morina tha se grevës i janë bashkuar edhe kirurgët e Spitalit Rajonal të Mitrovicës. “Janë mbushur plot tri javë prej se në klinikat e Kirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk është kryer asnjë operacion, përveç rasteve urgjente, pasi që kirurgët e këtyre klinikave po e vazhdojnë grevën. Ata janë të vendosur të vazhdojnë grevën me të vetmen kërkesë, nivelizimi i pagave me ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha për Radio Kosovën përfaqësuesi i grevistëve, Arsim Morina. Sipas tij, grevës së 157 kirurgëve i janë bashkuar edhe kirurgët e Spitalit Rajonal të Mitrovicës.
”Na janë bashkangjitur: Spitali Regjional i Mitrovicës me nënshkrimet e tyre përkatëse, komplet kolegjiumet kirurgjike. Janë në rrjedha edhe klinikat e tjera, por momentalisht, zyrtarisht, mund t’ ua konfirmojmë vetëm këtë. Kërkesa jonë është e njëjtë dhe e pa diskutueshme, rregullimi i nivelit të pagave në nivel të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kërkesa jonë është e pa negociueshme, nuk diskutohet për çështjen e rrogës, për çështjen e nivelit të saj. Ne jemi në grevë. Greva vazhdon” , tha Morina.
Ndërkaq, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla komentoi vazhdimin e grevës së kirurgëve dhe shtoi se kauza është e përbashkët, por rrugët janë të ndryshme. Syla tha se diskutimet kanë përfunduar dhe janë duke e pritur vendimin për Projektligjin për Pagat. ”E kam thënë edhe po e them nëse ka diçka më mirë që mund të bëjnë, në rregull, por edhe mos të harrojnë se këtu nga ana e sindikatës bëhet fjalë për 14 mijë e 80 punëtorë, ndërkaq ky grup i kirurgëve është për 200 apo 300 persona”, tha Syla.
Ndërkaq, zyra e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës nuk ka foli për çështjen e grevës së kirurgëve. Ndryshe, grevë me kërkesën për kategorizim të pagave pati nga të gjithë punonjësit shëndetësorë, e cila u mbështetë nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës. Greva u ndërpre pas takimeve që u zhvilluan në mes të përfaqësuesve të sindikatës dhe krerëve të institucioneve më të larta në vend, me ç’rast u premtua rritje dhe kategorizim i pagave për punonjësit shëndetësor.
Hoteli i famshëm botëror Burj Al Arab në Dubai do të mbyllet...
SHBA thotë se ka ndaluar një anije mallrash që tentoi t’i sh...
ShBA njofton sanksione të mëtejshme ndaj naftës iraniane
Peja barazon serinë çerekfinale ndaj Yllit
Kapet furgoni me 150 shpezë të futura ilegalisht nga Serbia ...
Rusia paralajmëron BE-në: Rritja e planifikuar e prodhimit t...