Tërmeti në Japoni, plagosen 6 persona, 2 në gjendje të rëndë

08:30 | 21 Prill 2026
E.K

Një tërmet i fortë me magnitudë deri në 7.7 ballë goditi Japoninë veriore të hënën, duke lënë të paktën gjashtë persona të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën.

Sipas Agjencia Japoneze e Menaxhimit të Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive, nuk janë raportuar dëme në infrastrukturën kryesore, pavarësisht forcës së lëkundjeve.

Tërmeti ndodhi në orën 16:53 sipas kohës lokale në Oqeanin Paqësor, pranë prefekturës Iwate në ishullin Honshu. Agjencia Meteorologjike Japoneze vlerësoi magnitudën në 7.7 ballë dhe lëshoi një paralajmërim për cunami deri në tre metra, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së e vlerësoi tërmetin me magnitudë 7.4.

Paralajmërimi për cunami u hoq më vonë, pasi një valë rreth 80 centimetra goditi portin e Kuji në prefekturën Iwate, ndërsa valë më të vogla u regjistruan edhe në zona të tjera të veriut të vendit.

Autoritetet japoneze paralajmëruan për rrezik të shtuar të një tërmeti edhe më të fuqishëm. JMA lëshoi një “paralajmërim të veçantë”, duke theksuar se probabiliteti për një tërmet tjetër të fortë është më i lartë se zakonisht dhe se një cunami i madh mbetet i mundshëm në rast të një goditjeje të re.

Zyrtarët u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj lëkundjeve pasuese gjatë ditëve në vijim, të cilat mund të jenë edhe më të forta. Ndërkohë, autoritetet kanë lëshuar urdhra jo-detyrues evakuimi për më shumë se 182 mijë banorë në zonat e prekura.

Lëkundjet u ndjenë edhe në Tokio, mbi 500 kilometra larg epiqendrës.

Japonia mbetet një nga vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve në botë, për shkak të pozicionit të saj në “Unazën e Zjarrit” të Paqësorit. Kujtimi i Tërmeti dhe cunami i Japonisë 2011, që shkaktoi rreth 18,500 viktima dhe të zhdukur, vazhdon të rëndojë mbi vendin.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun nga çarja sizmike Nankai, ku një tërmet i madh i shoqëruar me cunami mund të shkaktojë pasoja katastrofike me qindra mijëra viktima dhe dëme ekonomike të mëdha.