Sulmi në Paris, identifikohet agresori i pajetë

19:38 | 21 Prill 2017

Agresori i armatosur, tashmë i pajetë, që qëlloi për vdekje një oficer policie në “Champs Elysees” mbrëmjen e së enjtes është identifikuar nga prokurori i Parisit si Karim Cheurfi, një kriminel i dënuar edhe më parë.

Ai përdori një kallashnikov në sulmin e ditës së djeshme, duke vrarë oficerin e policisë me dy plumba në kokë, deklaroi François Molins në konferencën për gazetarët e pranishëm në kryeqytetin francez.

Një shënim që mbronte grupin xhihadist të Shtetit Islamik u gjet pranë trupit të tij, që supozohet të ketë rënë nga xhepi i xhaketës.

Cheurfi ka pasur në të kaluarën 4 dënime të tjera për vepra penale, sipas prokurorit. Kjo e premte është edhe dita e fundit e fushatës presidenciale, përpara raundit të parë zgjedhor të ditës së dielë.

Vrasësi kishte shprehur dëshirën për të vrarë policë edhe më herët gjatë këtij viti, por deri më dje duket se nuk ka pasur asnjë provë që ta lidhte atë me radikalizmin islamik, tha Molins. Shteti Islamik tha pas sulmit se, një prej “luftëtarëve të tij” kishte kryer sulmin në qendër të Parisit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara