HAGË – Ministri i Jashtëm i Sirisë u zotua të mërkurën se vendi i tij do të shkatërrojë sa më parë armët kimike të mbetura që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë.
Ministri Asaad Hassan al-Shibani i bëri këto komente gjatë takimeve me dyer të mbyllura me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) në Hagë, në cilësinë e ministrit të parë të jashtëm që mori pjesë në punimet e agjencisë për çarmatim.
Pas sulmit me gazin sarin që shkaktoi vdekjen e qindra personave në vitin 2013, Siria, që në atë kohë ishte nën regjimin e Assadit u anëtarësua në këtë agjenci në bazë të marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe shkatërroi 1,300 tonë armë kimike dhe substanca.
Por tre hetime – njëri i zhvilluar nga një mekanizëm i përbashkët ndërmjet OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, një tjetër nga ekipi për hetime dhe identifikim i OPCW-së dhe një i OKB-së për krime lufte – arritën në përfundimin se forcat qeveritare siriane nën Assadin përdorën gazin nervor sarin dhe bomba me klor në sulmet gjatë luftës civile, duke shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e mijëra personave.
Si pjesë të detyrimeve të anëtarësimit, Damasku do t’u nënshtrohej kontrolleve, por për më shumë se një dekade, OPCW-së i ishte mohuar e drejta për të zbuluar shkallën e vërtetë të programit të armëve kimike.
“Siria është gati… ta zgjidhë këtë problem afatgjatë që na është imponuar nga regjimi i kaluar”, u tha ministri Shibani delegatëve. “Detyrimet ligjore janë rezultat i shkeljeve që trashëguam, jo që i krijuam. Sidoqoftë, jemi të përkushtuar të shkatërrojmë çfarëdo të ketë mbetur nga ai, për t’i dhënë fund kësaj trashëgimie të dhimbshme dhe për t’u siguruar se Siria bëhet shtet që i respekton normat ndërkombëtare”.
Të mërkurën, drejtuesi i OPCW-së Fernando Arias e quajti ndryshimin politik të Sirisë “një shans të ri dhe historik për të siguruar qartësi mbi shkallën dhe nivelin e plotë të programit sirian për armët kimike”.
Ministri Shibani tha se planifikimi tashmë ka filluar, por se ndihma e bashkësisë ndërkombëtare do të jetë e rëndësisë kritike. Sirisë i nevojitet ndihmë teknike, asistencë logjistike, ndërtim kapacitetesh, burime dhe ekspertizë në terren, tha ai.
“Ndonëse regjimi i Asadit bllokoi këtë bashkëpunim me vite, e kuptojmë që duhet të veprojmë me shpejtësi, por gjithashtu e kuptojmë se duhet të bëhet plotësisht. Për këtë, nuk mund të jemi të suksesshëm të vetëm”, tha ai.
Sasia e armëve e deklaruar nga Siria kurrë nuk ka reflektuar me saktësi situatën në terren, sipas inspektorëve të OPCW-së.
Ata tani duan të vizitojnë afro 100 vende, të cilat mund të jenë të lidhura me programin e armëve kimike të Assadit, që ai e zhvilloi ndër dekada./VOA
Vuçiq përballet me presion në rritje pas protestave studento...
KFOR-i riafirmon përkushtimin për sigurinë në Kosovë
Keith Self: Të zbatohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni...
Të shtëna me armë në Breg të Diellit, Policia konfirmon vdek...
Aksident në hyrje të tunelit të Kalimashit, raportohet për t...
Krisma armësh në Prishtinë, dyshohet për një të plagosur