Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden shënoi 81 vjetorin e lindjes të hënën, një moment historik që tërheq vëmendjen pasi ai bëhet personi më i moshuar ndonjëherë në Zyrën Ovale, ndërkohë që sondazhet tregojnë se amerikanët janë të shqetësuar se ai është shumë i moshuar për të kërkuar një mandat të dytë.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve se zoti Biden dhe familja e tij do të festojnë ditëlindjen e tij më vonë këtë javë kur të mblidhen për të festuar Ditën e Falenderimeve në ishullin Nantucket.
Presidenti Biden u është përgjigjur shqetësimeve për moshën e tij me humor dhe duke argumentuar se mosha dhe përvoja e tij prej mbi gjysmë shekulli në jetën publike është një avantazh në përballjen me problemet e Amerikës.
Nëse rizgjidhet në vitin 2024, presidenti Biden do të jetë 86 vjeç në fund të mandatit të tij të dytë në detyrë.
Republikani Ronald Reagan, i cili kishte rekordin e mëparshëm si presidenti më i moshuar i Shteteve të Bashkuara, përfundoi mandatin e tij të dytë katërvjeçar në moshën 77-vjeçare në vitin 1989.
Ish-presidenti Donald Trump, kandidati kryesor për emërimin republikan për të sfiduar Biden në zgjedhjet e vitit 2024, është 77 vjeç. Në një sondazh në shtator nga Reuters/Ipsos, votuesit shprehën shqetësim për moshën e zotit Biden dhe aftësisë së tij për të kryer detyrimet e postit.
77 për qind e të anketuarve, përfshirë 65 për qind të demokratëve, thanë se zoti Biden është shumë i moshuar për të qenë president, ndërsa vetëm 39 për qind thanë se ai ka mprehtësinë e mjaftueshme mendore për presidencën.
Nga ana tjetër, 56% e të anketuarve në sondazh thanë se zoti Trump është shumë i moshuar për postin, ndërsa 54% thanë se ai ka mprehtësinë e mjaftueshme mendore për të përballuar sfidat e presidencës.
Zonja Jean-Pierre, e pyetur në lidhje me rezultatet e sondazhit, tha se presidenti Biden ka arritur të shënojë disa arritje të mëdha legjislative dhe duhet të gjykohet për rezultatet, jo për moshën e tij.
“Perspektiva jonë është se mosha nuk është faktori kryesor, është përvoja e presidentit. Duhet ta gjykojmë atë nga ajo që ka bërë, jo nga mosha”, tha ajo./voa
Tronditje për Barcelonën, ylli i katalunasve i hapur që t...
Deklaratat e Trump për të vendosur forca amerikane, ushtarët...
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Sërfist kafshohet nga peshkaqeni në Australi, sulmi i katërt...
Aksident i rëndë në Laç, pasagjeri 25-vjeçar humb jetën pas ...
Maqedonci: Kosova e para në Ballkanin Perëndimor për siguri ...