Rusia: Krimea është e jona

14:46 | 15 Shkurt 2017

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova të mërkurën ka thënë se Rusia nuk do t’ia kthejë Krimenë Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne nuk kthejmë territoret tona. Krimea është një territor i Federatës Ruse”, tha Zakharova në një konferencë për media në Moskë, një ditë pasi SHBA-të i kërkuan Rusisë që t’i kthejë Krimenë Ukrainës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha në një konferencë ditore për media të martën se “Presidenti Trump e ka bërë shumë të qartë se ai pret që qeveria ruse të mos përshkallëzojë dhunën në Ukrainë dhe të kthehet Krimea. Në të njëjtën kohë, ai pret dhe dëshiron të ketë raporte të mira me Rusinë”, tha ai.

Kryetari i komitetit të punëve ndërkombëtare të Dumës ruse, Leonid Slutsky, të mërkurën tha se vërejtjet e Washingtonit janë “alarmuese”.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se presidenti Vladimir Putin nuk ka biseduar çështjen e Krimesë me Trumpin gjatë bisedës telefonike, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.

“Sa i përket kthimit të Krimesë, kjo temë nuk do të diskutohet, sepse nuk mund të diskutohet. Rusia nuk do të diskutojë çështje të saj territoriale me partnerët e huaj”, citohet të ketë thënë Peskov.

Trump bisedoi me Putinin përmes telefonit më 28 janar për herë të parë që nga zgjedhja në nëntorin e kaluar. Ukraina u përfshi nga konflikti që nga marsi i vitit 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, pas një votimi të paligjshëm të pavarësisë.

Kjo shkaktoi protesta të dhunshme anti-qeveritare që çuan në përmbysjen e presidentit të atëhershëm Victor Yanukovich. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi dhe shpalli si të paligjshëm aneksimin rus.

Së bashku me shumë vende të OKB-së, SHBA-të, BE-ja dhe Turqia gjithashtu nuk e njohin Krimenë si territor rus.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara