Shoqata e Gjyqtarëve reagon ndaj presioneve publike: Deklaratat denigruese janë të papranueshme

16:14 | 25 Maj 2026
D.H

Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës ka reaguar me shqetësim ndaj deklaratave publike të bëra gjatë këtij edicioni garues nga përfaqësues të klubeve, të cilat kanë qenë të drejtuara ndaj gjyqtarëve të futbollit në Kosovë.

Në reagimin zyrtar, Shoqata ka theksuar se respekton të drejtën e çdo klubi dhe subjekti sportiv për të shprehur pakënaqësitë apo qëndrimet e tyre lidhur me organizimin dhe zhvillimin e garave, por ka bërë të qartë se kjo e drejtë nuk duhet të tejkalojë kufijtë institucionalë.

“Duke respektuar të drejtën legjitime të çdo klubi dhe subjekti sportiv për të shprehur qëndrimet apo pakënaqësitë e tyre lidhur me organizimin dhe zhvillimin e garave, konsiderojmë se kjo e drejtë nuk duhet të shndërrohet në mjet presioni, kërcënimi apo denigrimi publik ndaj zyrtarëve të ndeshjeve”, thuhet në reagim.

Shoqata ka vlerësuar se deklaratat që përmbajnë insinuata dhe gjuhë denigruese ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme dhe dëmtojnë futbollin kosovar.

“Deklaratat që përmbajnë insinuata, gjuhë denigruese apo elemente të qarta presioni ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me frymën sportive, respektin institucional dhe parimet e ‘fair-play’-it”, theksohet tutje.

Sipas Shoqatës, kohëve të fundit është vërejtur një rritje e reagimeve emocionale dhe deklaratave të pamatura ndaj gjyqtarëve, gjë që po krijon klimë të panevojshme tensioni dhe mosbesimi në opinionin sportiv.

“Forma të tilla komunikimi dëmtojnë jo vetëm autoritetin e gjyqtarëve, por edhe kulturën institucionale që duhet ta karakterizojë futbollin tonë”, vijon reagimi.

Në deklaratë rikujtohet se gjyqtarët janë autoritet i pavarur në fushën e lojës dhe se çdo vlerësim për performancën e tyre trajtohet nga organet kompetente të FFK-së.

“Çdo tentativë për të ushtruar presion publik mbi vendimmarrjen apo integritetin e gjyqtarëve është e papranueshme”, thuhet ndër të tjera.

Shoqata u ka bërë thirrje të gjitha klubeve dhe akterëve të futbollit që të tregojnë maturi dhe respekt ndaj institucioneve sportive, duke shmangur deklaratat që nxisin tensione dhe mosbesim.

Njëkohësisht, është paralajmëruar se deklaratat fyese dhe jo sportive do të adresohen në organet kompetente të Federatës së Futbollit të Kosovës për trajtim sipas rregulloreve në fuqi.

Shpërndaje në rrjete sociale