Kryeqyteti japonez ka zhvilluar për të parën herë një stërvitje për evakuim, në rast të një sulmi bërthamor nga Koreja e Veriut.
Stërvitje të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete më të vogla japoneze, por kjo ishte e para që mbahej në Tokio.
Pamjet e transmetuara në televizionet japoneze tregonin vullnetarët që vraponin për t’u strehuar në stacionet e nëndheshme të metrosë dhe në hapësira nëntokësore, që do të shërbenin si strehime në rast të një sulmi.
Stërvitja reflekton përpjekjet e qeverisë japoneze për të qenë e gatshme në rast të një lufte të mundshme me Korenë e Veriut.
“Një raketë nga Koreja e Veriut do të mbërrijë në më pak se 10 minuta dhe paralajmërimi i parë vjen vetëm 3 minuta pas lançimit, gjë që na jep neve rreth 5 minuta për të gjetur një strehim”, tha një zyrtar i qeverisë japoneze para vullnetarëve.
Në nëntor të vitit 2017, Pentagoni gjurmoi një raketë koreano-veriore që ra në detin e Japonisë. Menjëherë më pas, autoritetet japoneze dhe koreano-jugore thirrën takime emergjente për të diskutuar për kërcënimin e një lufte bërthamore.
Pavarësisht shpresës se, pjesëmarrja e Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore të muajit të ardhshëm në Korenë e Jugut do të zbusë tensionet në rajon, ministri i Jashtëm japonez ka thënë se qeveria po kërkon në mënyrë aktive partnerë për të krijuar një aleancë ndërkombëtare kundër Penianit.
“Problemi koreano-verior po bëhet gjithnjë e më shqetësues për ne. Niveli i kërcënimit është i paprecedentë dhe, për më tepër, raketat e tyre mund të mbërrijnë tani edhe Europën”, tha ministri japonez./tch/
Kurti premton investime të shumta në Mitrovicë dhe gjithë Ko...
Hotel luksoz, të ftuar VIP dhe kosto prej një milion eurosh ...
Nesër mbahet protestë në përkrahje të studentëve shqiptarë n...
Vdiq në krye të detyrës, polici do të prehet në vendlindje, ...
Zvicra dislokon 4 mijë trupa në kufi me Francën, e cila pret...
Rama merr pjesë nesër në Samitin “BE–Ballkani Perëndimor” në...