Një prokuror turk kërkoi të martën një dënim me burg prej më shumë se 2.000 vjetësh për Ekrem Imamoglu-n, kryetarin opozitar të Stambollit që ndodhet në burg, nën akuzën se ka udhëhequr një rrjet të gjerë korrupsioni që i ka shkaktuar shtetit humbje prej miliarda lirash.
Imamoglu, rivali kryesor politik i presidentit Tayyip Erdogan, ka mohuar më parë të gjitha akuzat ndaj tij, duke i cilësuar ato si politike, ndërsa partia e tij e opozitës të martën i hodhi poshtë akuzat e reja si “absurde”.
Në një veprim të veçantë që e thellon më tej fushatën njëvjeçare ligjore kundër kritikëve të Erdogan-it, prokurori i Stambollit kërkoi nga një gjykatë më e lartë të shqyrtojë mbylljen e Partisë Popullore Republikane (CHP), partisë kryesore opozitare të Imamoglu-t, raporton Reuters.
Prokurori i Përgjithshëm i Stambollit, Akin Gurlek, njoftoi aktakuzën në një konferencë për shtyp, duke thënë se ajo përfshin 402 të dyshuar, përfshirë edhe kryebashkiakun, dhe i akuzon për krijimin e një organizate kriminale, ryshfet, mashtrim dhe manipulim tenderësh.
Sipas Gurlek, rrjeti i akuzuar i ka shkaktuar shtetit turk humbje prej 160 miliardë lirash (rreth 3.8 miliardë dollarë) gjatë një periudhe 10-vjeçare.
Opozita: Akuzat janë politike
Kreu i degës së CHP-së në Stamboll, Ozgur Celik, shkroi në ‘X’ se aktakuza është “absurde” dhe “e turpshme”, duke shtuar se ajo synon të shkatërrojë shpresat e Imamoglu-t për t’u bërë president i Turqisë.
Imamoglu ndodhet në burg që nga marsi, në pritje të gjykimit për akuzat e korrupsionit, dhe në korrik mori një dënim të veçantë me burg për fyerje dhe kërcënim ndaj prokurorit të Stambollit, vendim që ai e ka apeluar.
Qeveria mohon pretendimet e Imamoglu-t dhe të CHP-së se çështja kundër tij është e motivuar politikisht, duke theksuar se gjykatat turke janë të pavarura./RTK
Tribunal Special për t’i gjykuar liderët rusë për krimet në ...
Macja juaj bën këto gjëra çdo ditë? Ja pse nuk janë aspak të...
Momente tensioni mes Emery dhe Tielemans – trajneri e ...
Aksident tragjik në Itali, humb jetën 20-vjeçari shqiptar
Serwer dyshues i madh për Bordin e Paqes: E kuptoj dëshirën ...
Dinamo Zagreb shënon fitore bindëse ndaj FSCB, protagonist e...