Presidenti Trump “pezullon” planin: Nuk do ta sulmojmë Iranin tani për tani

21:58 | 18 Maj 2026
E.G

Presidenti, Donald Trump tha pasdite se SHBA nuk do të zbatojnë sulmet e “planifikuara” ndaj Iranit të martën, pasi tha se vendet partnere në Lindjen e Mesme i kërkuan ta pezullonte.

“Udhëheqësit e Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe i kërkuan atij “të shtyjë sulmin tonë të planifikuar ushtarak ndaj Republikës Islamike të Iranit, i cili ishte planifikuar për nesër, për shkak se tani po zhvillohen negociata serioze dhe se, sipas mendimit të tyre, si Udhëheqës dhe Aleatë të Mëdhenj, do të arrihet një Marrëveshje, e cila do të jetë shumë e pranueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për të gjitha vendet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Kjo Marrëveshje do të përfshijë, më e rëndësishmja, JO ARMË BËRTHAMORE PËR IRANIN!”, shkroi Trump.

Presidenti e bëri njoftimin në “Truth Social” .

“Kam udhëzuar Sekretarin e Luftës Pete Hegseth, Kryetarin e Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjeneral Daniel Caine dhe Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara që të mos e ekzekutojnë sulmin e planifikuar ndaj Iranit ditën e nesërme”, shkroi Trump.
Ky pezullim i planit sipas presidentit Trump, vjen ndërsa po zhvillohen negociata serioze për t’i dhënë fund konfliktit.”Negociata serioze janë duke u zhvilluar”, shtoi më tej Trump./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale