Presidenti rus Putin dhe kancelari gjerman Scholz diskutojnë luftën në Ukrainë

16:13 | 13 Maj 2022

Presidenti rus, Vladimir Putin, diskutoi luftën në Ukrainë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas deklaratës së bërë nga Kremlini, Putin dhe Scholz diskutuan situatën në Ukrainë së bashku me aspektet e saj humanitare në bisedë telefonike.

Ndërsa Putin “përmblodhi logjikën dhe objektivat kryesore të operacionit special ushtarak” në Ukrainë, vëmendja u tërhoq edhe në masat e marra për sigurinë e civilëve.

Në deklaratët thuhet se u diskutua për evakuimin e civilëve të ndaluar nga forcat e sigurisë ukrainase në Azovstal, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq.

Kremlini po ashtu tha se luftëtarët që mbrojnë ideologjinë naziste vazhduan shkeljet e rënda të normave ndërkombëtare të së drejtës humanitare dhe përdorimin e metodave terroriste çnjerëzore.

Gjatë bisedës u diskutua edhe për çështjen e negociatave ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës dhe u ra dakord që bisedimet për çështjet e lartpërmendura të vazhdojnë në kanale të ndryshme.

– Gjermania këmbënguli për “zgjidhje diplomatike”

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, deklaroi gjithashtu se kancelari Scholz diskutoi luftën e vazhdueshme në Ukrainë dhe përpjekjet e tij për t’i dhënë fund kësaj lufte në një telefonatë 75-minutëshe me Putinin.

“Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës ushtarake dhe pasojat e luftës në Ukrainë, veçanërisht në Mariupol, kancelari këmbënguli për të bërë përparim sa më shpejt të jetë e mundur drejt një armëpushimi, përmirësimin e situatës humanitare dhe gjetjen e një zgjidhje diplomatike për konfliktin”, tha Hebestreit.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane gjithashtu deklaroi se Scholz mohoi akuzat se nazizmi është i përhapur në Ukrainë.

Duke theksuar se të dy liderët diskutuan edhe për situatën globale të ushqimit, e cila është kritike për shkak të luftës së zhvilluar nga Rusia, Hebestreit theksoi se Scholz kujtoi se Rusia ka një përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara