Një i mbijetuar e 240 të vdekur nga rrëzimi i avionit në Indi

20:56 | 12 Qershor 2025
E.H

Vetëm një pasagjer i ka mbijetuar rrëzimit të avionit të Air India, që la të vdekur të paktën 240 persona, sipas një mjeku në Indi. Sipas tij, nga impakti i rrëzimit të avionit, i mbijetuari kishte dalë jashtë nga fluturakja dhe vetë kishte ecur deri te një autoambulancë që gjendej në vendngjarje.

Avioni ishte nisur drejt Londrës dhe u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga aeroporti në qytetin perëndimor të Indisë, Ahmedabad, të enjten.

Një mjek në Spitalin Civil të Ahmedabadit tha se i mbijetuari është Vishwashkumar Ramesh, teksa një ministër i Indisë tha se e ka takuar të mbijetuarin.

“Ai ishte i çorientuar dhe kishte disa plagë në gjithë trupin”, tha mjeku Dhaval Gameti, i cili ka mjekuar Rameshin. “Por, ai duket se është jashtë rrezikut”, shtoi ai për Associated Press.

Një tjetër mjek tha se Ramesh u tha atyre se sapo avioni nisi fluturimin, nisi të bjerë poshtë dhe u nda në dysh. I mbijetuari u tha mjekëve se ai ishte hedhur nga avioni, pasi ai u nda në dysh, dhe më pas kishte dëgjuar një shpërthim.

Më herët, autoritetet njoftuan se kishin arritur të nxirnin nga vendi i ngjarjes trupat e 204 viktimave, por thanë se nuk e dinin nëse viktimat ishin pasagjerë të avionit apo ishin njerëz që ndodheshin në vendin ku u përplas fluturakja.

Avioni ishte nisur drejt aeroportit Gatwick në Mbretërinë e Bashkuar, tha Air India, ndërsa oficerët e policisë thanë se ai u rrëzua në një zonë civile pranë aeroportit.

Reuters ka raportuar më herët se në mesin e 242 udhëtarëve ishin 217 të rritur dhe 11 fëmijë. Nga këta, 169 ishin shtetas indianë, 43 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez.

Sipas faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar24, avioni ishte Boeing 787-8 Dreamliner, një nga avionët e udhëtarëve më modernë në përdorim.

“Në këtë çast po e verifikojmë hollësitë dhe do të njoftojmë për to”, tha Air India në platformën X.

Sipas kanaleve televizive, avioni u rrëzua menjëherë pas ngritjes. Një kanal shfaqi pamjet e avionit duke fluturuar mbi një zonë banimi, përpara se të zhdukej nga ekrani dhe një re e madhe zjarri të ngrihej në qiell përtej shtëpive.

Sipas kontrollit të trafikut ajror në aeroportin e Ahmedabad, avioni u nis në orën 13:39 me kohën lokale nga pista 23. Ai bëri një thirrje emergjente “Mayday”, por më pas nuk u dëgjua asnjë përgjigje nga avioni.

Flightradar24 tha gjithashtu se sinjali i fundit nga avioni u mor disa sekonda pas ngritjes.

“Avioni i përfshirë është një Boeing 787-8 Dreamliner me regjistrim VT-ANB,” u tha në deklaratë.

Zyra e ministrit indian të Aviacionit tha se kryeministri Narendra Modi kishte urdhëruar që të ofrohet menjëherë gjithë mbështetja për përpjekjet e shpëtimit.

Të gjitha agjencitë përkatëse janë në gjendje gatishmërie dhe po punojnë në mënyrë të koordinuar, shtoi zyra e ministrit të Aviacionit.

Ahmedabad është qyteti kryesor në shtetin Gujarat, vendlindja e Modit.

Aeroporti i Ahmedabad njoftoi se ka pezulluar të gjitha operacionet ajrore me efekt të menjëhershëm.

Aksidenti i fundit ajror në Indi ndodhi në vitin 2020 dhe përfshiu kompaninë Air India Express.

Avioni Boeing-737 doli jashtë një piste në Aeroportin Ndërkombëtar Kozhikode në Indinë jugore. Ai rrëshqiti jashtë pistës, ra në një humnerë dhe u përplas me pjesën e përparme në tokë.

Në atë aksident humbën jetën 21 persona.

Air India, e cila më parë ishte në pronësi shtetërore, u ble nga kompania indiane Tata Group në vitin 2022 dhe u bashkua me Vistara – një ndërmarrje e përbashkët mes këtij grupi dhe Singapore Airlines – në vitin 2024.

Tata njoftoi se ka aktivizuar një qendër emergjente dhe ka ngritur një ekip mbështetës për familjet që kërkojnë informacion./rel

Shpërndaje në rrjete sociale