Modena ngrihet në këmbë pas sulmit brutal me makinë/ U plagosën tetë persona, katër prej të cilëve janë në gjendje të rëndë

21:59 | 17 Maj 2026
E.G

Qendra historike e Modenës u mbush sot, 17 maj, me më shumë se 1 500 qytetarë, të cilët iu përgjigjën thirrjes së kryebashkiakut Massimo Mezzetti për t’u mbledhur në Piazza Grande, një ditë pas sulmit tronditës me makinë që la disa të plagosur në qytet.

Tubimi u zhvillua në shenjë solidariteti dhe për të dënuar ngjarjen e rëndë që tronditi Italinë. Në aktivitet morën pjesë edhe presidenti i rajonit Emilia-Romagna, Michele de Pascale, presidenti i provincës Fabio Braglia, si dhe disa kryetarë bashkish të zonës.

Autori i dyshuar, Salim El Koudri, 31 vjeç, shtetas italian me origjinë të huaj, akuzohet për plagosje të rënda, por jo për vepra terrorizmi. Sipas autoriteteve italiane, ai ishte trajtuar më parë për probleme të shëndetit mendor.

Ngjarja ndodhi më 16 maj, kur El Koudri hyri me makinë me shpejtësi të madhe mes këmbësorëve në qendrën historike të Modenës, duke shkaktuar panik dhe duke lënë të plagosur tetë persona, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.

Pas përplasjes, ai tentoi të largohej dhe u pa me një thikë në dorë, megjithatë fatmirësusht nuk arriti të godiste askënd.

Policia e arrestoi menjëherë dhe e dërgoi në komisariat për ta marrë në pyetje.

Sipas medieve italiane, gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët, i dyshuari ka zgjedhur të mos japë deklarime. Seanca për vlerësimin e arrestit pritet të zhvillohet nesër para gjyqtarit hetues, ku ai mund të vendosë nëse do të dëshmojë apo do të shfrytëzojë të drejtën për të heshtur.

Ndërkohë, presidenti i Italisë dhe kryeministrja Giorgia Meloni kanë vizituar të plagosurit në spitalet e Modenës dhe Bolonjës. Meloni e ka cilësuar ngjarjen si “jashtëzakonisht serioze” dhe ka kërkuar përgjegjësi të plotë për autorin.

Shpërndaje në rrjete sociale