Ministri iranian: Jemi gati për luftë, por edhe për dialog!

12:31 | 12 Janar 2026
E.H

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se protestat e përhapura në mbarë vendin janë kthyer qëllimisht në të dhunshme dhe të përgjakshme për t’i dhënë Shteteve të Bashkuara një justifikim për ndërhyrje ushtarake.

Gjatë një takimi me diplomatë të huaj në Teheran, Araghchi tha se dhuna u intensifikua gjatë fundjavës, por theksoi se “situata tani është plotësisht nën kontroll”.

Sipas tij, paralajmërimet e presidentit amerikan Donald Trump për ndërhyrje ushtarake në rast se protestat do të përshkallëzoheshin në dhunë, kanë nxitur grupe që ai i cilësoi si “terroriste” të sulmojnë protestuesit dhe forcat e sigurisë për të provokuar ndërhyrje të huaj.

“Ne jemi të përgatitur për luftë, por edhe për dialog”, u shpreh Araghchi.

Ai shtoi se autoritetet iraniane disponojnë pamje filmike që tregojnë shpërndarjen e armëve te protestuesit dhe se së shpejti do të publikohen rrëfimet e personave të ndaluar. Ministri theksoi se autoritetet po ndjekin nga afër zhvillimet në terren dhe se protestat janë “të nxitura dhe të financuara nga elementë të huaj”.

Sipas Araghchi-t, forcat e sigurisë do të identifikojnë dhe ndëshkojnë personat përgjegjës për aktet e dhunës.

Ai konfirmoi gjithashtu se qeveria ka shpallur ditë zie kombëtare për viktimat e rëna gjatë protestave, përfshirë edhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Duke iu referuar bllokimit të internetit në mbarë vendin, Araghchi tha se lidhja do të rikthehet së shpejti dhe se qeveria po koordinon hapat me strukturat e sigurisë, duke shtuar se shërbimi do të rikthehet edhe për ambasadat dhe institucionet shtetërore.

Shpërndaje në rrjete sociale