Ministri i Punëve të Brendshme i shtetit federal të Saksonisë së Poshtme në Gjermani, Boris Pistorius, ka vizituar xhaminë në Hanover në shenjë solidariteti me myslimanët me rastin e sulmit terrorist në Zelandë të Re të premten e kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një adresim të tij para besimtarëve, ministri Pistorius tha se dëshiron të dëshmojë solidarizimin e tij me myslimanët, duke shtuar se nevojitet një qëndrim i prerë kundër terrorizmit.
“Kurrë nuk do të lejojmë që sulmet e tilla terroriste të arrijnë qëllimin, që është rrezikimi i paqes duke sjellë trazira në shoqërinë tonë. Ndaj dhimbjen me të gjithë myslimanët për shkak të barbarizmit që ka ndodhur në Zelandën e Re”, tha Pistorius.
Kryetari i Hanoverit, Stefan Schostok, i cili shoqëronte ministrin e Brendshëm, nga ana e tij theksoi se myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët që gjendeshin të pranishëm dëshmuan se tri fetë solidarizohen duke dërguar mesazhin e unitetit.
“Në qytetin tonë nuk ka vend për urrejtje, dhunë dhe sjellje çnjerëzore. Në qytetin tonë, do të vazhdojmë të jetojmë së bashku në paqe. U bëj thirrje miqve tanë myslimanë, jemi të pikëlluar për atë se çfarë ju ka ndodhur. Fati juaj është fati ynë”, tha Schostok.
Recep Bilgen, i cili priti delegacionin, shprehu falënderime për vizitën në xhaminë e myslimanëve.
“Duhet të jemi njëzëri dhe të themi hapur se urrejtja nuk ka vend midis nesh. Të gjithë jemi pjesë e një bashkësie, jemi njerëz pavarësisht dallimeve tona. Prandaj, duhet së bashku të luftojmë ndarjet në shoqërinë tonë, kundër racizmit, antisemitizmit dhe Islamofobisë”, tha Bilgen.
Osmani në Shtëpinë e të Moshuarve në Suharekë: Ndamë së bash...
SHKK mohon raportimet: Personi që telefonoi në emision nuk i...
Katër persona lëndohen nga një aksident i rëndë në Fier, mes...
Endrit Thaçi e Sami Lushtaku i shkojnë në vizitë për festën ...
Kurban Bajrami rrit fluksin e hyrjeve nga Kosova në Shqipëri
Zhvilluan sezon perfekt tek Hoffenheimi, treshes së Kosovës ...