Trazirat në Iran kanë vrarë më shumë se 500 persona, tha një grup për të drejtat e njeriut, ndërsa Teherani kërcënoi se do të shënjestronte bazat ushtarake amerikane nëse Presidenti Donald Trump realizon kërcënimet e tij të reja për të ndërhyrë në mbështetje të protestuesve.
Me establishmentin klerikal të Republikës Islamike që po përballet me demonstratat më të mëdha që nga viti 2022, Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të përfshihet nëse përdoret forcë kundër protestuesve.
Sipas shifrave të fundit – nga aktivistë brenda dhe jashtë Iranit – grupi amerikan për të drejtat e njeriut HRANA tha se kishte verifikuar vdekjen e 490 protestuesve dhe 48 anëtarëve të forcave të sigurisë, me mbi 10,600 persona të arrestuar në dy javë trazirash, rasporton Reuters.
Irani nuk ka dhënë një bilanc zyrtar dhe Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur këto shifra.
Trump pritej të takohej të martën me këshilltarë të lartë për të diskutuar opsionet ndaj Iranit, tha një zyrtar amerikan për Reuters. Wall Street Journal raportoi se opsionet përfshinin goditje ushtarake, përdorimin e armëve sekrete kibernetike, zgjerimin e sanksioneve dhe ofrimin e ndihmës online për burime antiqeveritare.
“Ushtria po e shqyrton këtë, dhe ne po shqyrtojmë disa opsione shumë të forta,” u tha Trump gazetarëve gjatë udhëtimit me Air Force One të dielën në mbrëmje.
Trump tha se ishte në kontakt me udhëheqës të opozitës iraniane. Ai gjithashtu tha, pa dhënë detaje, se udhëheqësit e Iranit e kishin telefonuar të shtunën dhe se dëshironin të negocionin, dhe se ai mund të fliste me ta.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, paralajmëroi Uashingtonin kundër “një keqllogaritjeje”.
“Ta kemi të qartë: në rast të një sulmi ndaj Iranit, territoret e pushtuara (Izraeli), si dhe të gjitha bazat dhe anijet amerikane do të jenë objektiva legjitime,” tha Qalibaf, ish-komandant i Gardës Revolucionare elitare të Iranit.
Autoritetet intensifikojnë goditjen
Protestat filluan më 28 dhjetor si reagim ndaj rritjes së çmimeve, përpara se të ktheheshin kundër sundimtarëve klerikalë që qeverisin që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Autoritetet iraniane akuzuan SHBA-në dhe Izraelin për nxitjen e trazirave dhe bënë thirrje për një tubim mbarëkombëtar të hënën për të dënuar “veprimet terroriste të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli,” raportuan mediat shtetërore.
Rrjedha e informacionit nga Irani është penguar nga një bllokim i internetit që nga e enjtja. Trump tha të dielën se do të fliste me Elon Musk për rivendosjen e aksesit në internet në Iran përmes shërbimit satelitor Starlink.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale të shtunën nga Teherani treguan turma të mëdha që marshonin natën, duke duartrokitur dhe brohoritur. “Turma nuk ka as fund, as fillim,” dëgjohet të thotë një burrë.
Pamje nga qyteti verilindor i Mashhadit treguan tym që ngrihej në qiellin e natës nga zjarret në rrugë, protestues me maska dhe një rrugë të mbuluar me mbeturina; në një video tjetër të postuar të shtunën dëgjoheshin shpërthime. Reuters verifikoi vendndodhjet.
Televizioni shtetëror tregoi dhjetëra qese mortore në tokë në zyrën e mjekësisë ligjore në Teheran, duke thënë se të vdekurit ishin viktima të ngjarjeve të shkaktuara nga “terroristë të armatosur”, si dhe pamje të familjarëve të mbledhur jashtë Qendrës Mjekoligjore Kahrizak në Teheran duke pritur për të identifikuar trupat.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se ishte i tronditur nga raportet për dhunë nga autoritetet iraniane dhe bëri thirrje për përmbajtje maksimale. “Të drejtat për lirinë e shprehjes, shoqërimit dhe tubimit paqësor duhet të respektohen dhe mbrohen plotësisht,” tha ai në X.
Autoritetet shpallën të dielën tre ditë zie kombëtare “në nder të martirëve të vrarë në rezistencë kundër Shteteve të Bashkuara dhe regjimit sionist,” sipas mediave shtetërore.
Tre burime izraelite, të pranishme në konsultimet e sigurisë së Izraelit gjatë fundjavës, thanë se Izraeli ishte në gjendje gatishmërie të lartë për mundësinë e çdo ndërhyrjeje amerikane.
Izraeli dhe Irani luftuan një luftë 12-ditore në qershor 2025, në të cilën Shtetet e Bashkuara u përfshinë shkurtimisht duke sulmuar instalimet bërthamore. Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa ndaj Izraelit dhe një baze ajrore amerikane në Katar.
“Traziraxhinj dhe terroristë”
Ndërsa autoritetet iraniane kanë përballuar protesta edhe më parë, këto të fundit po zhvillohen teksa Teherani ende po rimëkëmbet nga lufta e vitit të kaluar dhe me pozicionin e tij rajonal të dobësuar nga goditjet ndaj aleatëve si Hezbollah në Liban që nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023 kundër Izraelit.
Trazirat në Iran vijnë ndërsa Trump po shfaq forcën e SHBA-së në arenën ndërkombëtare, pasi ka rrëzuar presidentin venezuelian Nicolas Maduro dhe po diskuton blerjen e Grenlandës me blerje ose me forcë.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Izraeli dhe SHBA-ja po orkestrojnë destabilizimin dhe se armiqtë e Iranit kanë sjellë “terroristë… që u vënë zjarrin xhamive… sulmojnë bankat dhe pronat publike”.
“Familje, ju lutem: mos lejoni fëmijët tuaj të vegjël t’u bashkohen traziraxhinjve dhe terroristëve që presin koka dhe vrasin të tjerë,” tha ai në një intervistë televizive, duke shtuar se qeveria ishte e gatshme të dëgjonte njerëzit dhe të zgjidhte problemet ekonomike.
Irani thirri të dielën ambasadorin britanik në ministrinë e jashtme për “komente ndërhyrëse” që i atribuohen ministrit të jashtëm britanik dhe për një protestues që hoqi flamurin iranian nga ndërtesa e Ambasadës në Londër dhe e zëvendësoi me një lloj flamuri të përdorur përpara Revolucionit Islamik të vitit 1979. Ministria e jashtme britanike nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Alan Eyre, ish-diplomat amerikan dhe ekspert për Iranin, e konsideroi të pamundur që protestat të rrëzojnë establishmentin. “Mendoj se ka më shumë gjasa që regjimi t’i shtypë këto protesta në fund, por të dalë nga ky proces shumë më i dobët,” i tha ai Reuters-it, duke vënë në dukje se elita e Iranit ende dukej e bashkuar dhe se nuk kishte një opozitë të organizuar.
Televizioni shtetëror iranian transmetoi procesione funerale në qytete perëndimore si Gachsaran dhe Yasuj për personelin e sigurisë të vrarë në protesta. TV shtetëror tha se 30 anëtarë të forcave të sigurisë do të varroseshin në qytetin qendror të Isfahanit dhe se gjashtë të tjerë u vranë nga “traziraxhinjtë” në Kermanshah në perëndim.
SHBA gati të ndihmojë, thotë Trump
Trump, duke postuar në rrjetet sociale të shtunën, tha: “Irani po sheh LIRINË, ndoshta si kurrë më parë. SHBA qëndron gati për të ndihmuar!!!”
Në një telefonatë të shtunën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio diskutuan mundësinë e ndërhyrjes amerikane në Iran, sipas një burimi izraelit të pranishëm në bisedë.
Disa protestues në Shtetet e Bashkuara dolën në rrugë në mbështetje të demonstruesve në Iran. Në lagjen Westwood të Los Anxhelosit, një kamion me qira u fut në një turmë prej disa qindra njerëzish që po mbanin një tubim në mbështetje të protestuesve iranianë, raportoi televizioni KNBC të dielën.
Oficeri i policisë së Los Anxhelosit, Sean Murray, tha se, bazuar në pamjet video, drejtuesi i mjetit u shoqërua nga policia. Murray tha se nuk ishte e qartë sa persona u plagosën, por se të gjithë të lënduarit u trajtuan në vend.
Reza Pahlavi, djali në mërgim i shahut të fundit të Iranit dhe një zë i njohur i opozitës së fragmentuar, tha se Trump kishte vëzhguar “trimërinë e papërshkrueshme” të iranianëve. “Mos i braktisni rrugët,” shkroi Pahlavi, i cili është me bazë në SHBA, në X.
Nesër përurohet monografia `Shani Pallaska – emblemë e një e...
Huffman MVP i javës, kjo është top pesëshja e më të mirëve n...
Pas tensioneve në Venezuelë, Papa Leoni takon lideren e opoz...
Aleanca Kombëtare për Integrim fiton dy komuna në zgjedhjet ...
Reshjet e dëborës përfshijnë Korçën, Rama: Bashkia në terren...
PZAP ia rrëzon ankesën për votat me postë Bekim Haxhiut