Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Joe Biden njoftoi synimin e tij për të emëruar ish-të dërguarin amerikan për Ballkanin, Jim (James) O’Brien, si Ndihmës të Sekretarit të Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë në Uashington.
Propozimi pret konfirmimin nga Senati amerikan.
O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.
Që nga viti 2022, Jim O’Brian punon si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit.
Sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, O’Brien më parë shërbeu në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial.
Ai shërbeu si këshilltar i lartë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, dhe i dërguar presidencial për Ballkanin.
“Ai udhëhoqi një program të madh dhe të suksesshëm sanksionesh dhe këshilloi për një sërë çështjesh, duke përfshirë negociatat e paqes në Evropë, marrëveshjet shkencore dhe mjedisore, tranzicionin post-sovjetik të Rusisë dhe Ukrainës, si dhe iniciativat për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës për krimet e luftës”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
O’Brien ishte i angazhuar edhe në gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, e cila i dha fund kësaj lufte.
Ai gjithashtu, udhëhoqi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjykatën Ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, e cila ndihmoi për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit./REL/
Qeveria emëron kryetarin e Bordit të Telekomit
Lëvizte me pistoletë me vete, arrestohet 32-vjeçari në Durrë...
Ndalohet furgoni me dru pa dokumente përcjellëse në Viti
50 aksidente brenda 24 orëve, policia shqiptoi mbi 1700 gjob...
Theret me thikë një person në Prishtinë, të dyshuarit në arr...
Byroja për Konfiskimin e Pasurisë, Kurti: Nuk mund të ketë r...