Drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI), Christopher Wray, ka thënë të mërkurën se do të japë dorëheqje para se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ta marrë detyrën muajin e ardhshëm.
Wray e bëri të ditur këtë gjatë një takimi të brendshëm të FBI-së të mërkurën.
Presidenti i zgjedhur Trump ka shfaqur dëshirën për ta zëvendësuar Wrayn me Kash Patelin.
Wray, i cili ishte nominuar nga Trumpi më 2017 për të shërbyer për një mandat 10-vjeçar, është përballur me kritika viteve të fundit nga republikanët, për shkak të hetimeve që FBI-ja i kreu ndaj Trumpit pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Duke dhënë dorëheqjen në vend se të presë shkarkimin, Wray po përpiqet ta shmangë ndonjë përplasje me administratën e re të Trumpit, e cila, sipas tij, do ta kishte përfshirë FBI-në “edhe më thellë në konflikt”.
“Qëllimi im është ta mbaj përqendrimin te misioni ynë — që është puna e domosdoshme që ju bëni çdo ditë në emër të popullit amerikan”, u tha Wray punonjësve të FBI-së.
“Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të shmangur zhytjen e byrosë më thellë në konflikt, duke forcuar vlerat dhe parimet që janë kaq të rëndësishme për mënyrën si e kryejmë punën tonë”, shtoi ai.
Trump e kishte bërë të qartë zemërimin e tij me Wrayn në disa raste.
Në një intervistë rishtazi për programin “Meet the Press” të NBC-së, Trump tha: “Nuk mund të them se jam i kënaqur me të. Ai pushtoi shtëpinë time”, duke iu referuar bastisjes së FBI-së në pronën e tij në Florida, Mar-a-Lago, dy vjet më parë në lidhje me rastin e dokumenteve të klasifikuara nga mandati i tij i parë si president.
Por, Wray rrallëherë dukej se përpiqej të përballej publikisht me Shtëpinë e Bardhë./rel
Vuçiq përballet me presion në rritje pas protestave studento...
KFOR-i riafirmon përkushtimin për sigurinë në Kosovë
Keith Self: Të zbatohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni...
Të shtëna me armë në Breg të Diellit, Policia konfirmon vdek...
Aksident në hyrje të tunelit të Kalimashit, raportohet për t...
Krisma armësh në Prishtinë, dyshohet për një të plagosur