Administrata e Ushqimit dhe Barnave propozon vaksinimin e përvitshëm ndaj COVID-19

09:51 | 24 Janar 2023

Të hënën, Administrata e Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara, (FDA) propozoi që çdo vit, të rriturit e shëndetshëm të marrin një dozë të vaksinës së fundit kundër Covid-19.

Vaksinimi i përvitshëm është i ngjashëm me fushatën e imunizimit ndaj gripit dhe synon ta bëjë sa më të thjeshtë strategjinë e vendit për vaksinimin kundër Covid-19.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i kërkoi gjithashtu këshilltarëve të jashtëm që të shqyrtonin injektimin e përvitshëm me dy vaksina të një grupi të fëmijëve të vegjël, të moshuarve dhe të individëve me imunitet të dobët.

Para takimit me ekipin e këshilltarëve të jashtëm, agjencia rregullatore propozoi lidhur me nevojën e përditësimit të vaksinave në bazë të analizave rutinore të varianteve të virusit.

FDA shpreson që fushata vjetore e imunizimit mund të ndihmojë në shpërndarjen më të lehtë të vaksinës dhe zbutjen e gabimeve në administrimin e vaksinave.

Administrata e Presidentit Biden gjithashtu ka hartuar plane lidhur me një fushatë për vaksina përforcuese çdo sezon vjeshte.

Aktualisht, shumica e njerëzve në Shtetet e Bashkuara duhet të marrin fillimisht dy doza të vaksinës origjinale të COVID-it, me një distancë mes intektimeve prej të paktën tre deri në katër javë, në varësi të vaksinës, e ndjekur nga një dozë përforcuese disa muaj më vonë.

Imunizimi me vaksinën e firmës Pfizer për fëmijët e të rriturit përfshin tre doza. Doza e tretë e përmirësuar, që mbron nga varianti fillestar dhe nënvariantet Omicron, mund të injektohet 2 muaj më vonë.

Nëse ekipi i këshilltarëve voton në favor të propozimit, atëherë vaksinat e përditësuara të firmave Pfizer dhe Moderna që luftojnë të dy variantet, do të përdoren në të gjitha rastet dhe jo vetëm si përforcues./VOA