Nisma kundër koalicionit me VV’në: U sollën egër me neve

00:09 | 9 Gusht 2019

Shefi i Grupit Parlamentarë të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se zgjedhjet janë të mirëseardhura ndonëse sipas tij synim ishte që mandati të dërgohej deri në fund.

Ai ka thënë se kanë qenë të befasuar nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

Sherifi në Interaktiv ka thënë se Nisma i ka dhënë mbështetje Haradinajt që nga fillimi i qeverisjes duke ia mundësuar edhe pozitën e kryeministrit.

“Padyshim që ne kemi qenë vendimtar për pozitën e tij të kryeministrit. Nuk mund të mohohet edhe një bashkëpunim i mëtutjeshëm me AAK-në”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në takim me qytetarët iu është kërkuar që në zgjedhje të shkohet si të vetëm dhe pa koalicione.

Duke folur për koalicionet PSD-VV-Nisma, ai ka thënë se në këtë fazë një gjë e tillë është e pamundur.

Sherifi ka shtuar se Vetëvendosja i ka trajtuar egërsisht këto dy parti e sidomos PSD-në.

Ai thotë se Vetëvendosje do koalicion me LDK-në për të fituar zgjedhjet, jo për të fituar e majta.

“Vetëvendosja këto dy vite e gjysmë më shumë i ka interesuar se si të vijë në pushtet e si ta marrë pozitën e kryeministrit, e jo si të fitojë e majta”,thotë ai.

Shefi i GP të Nismës, thotë se Veselin, Haradinajn, e Limajn i pati bashkuar ideja për të bërë një koalicion të fuqishëm për të arritur atë që synonin.

Ai shton se Vetëvendosja e donë pushtetin për të rrëzuar këtë qeveri, duke shtuar se ata nuk kanë program të përbashkët me LDK-në dhe se njëra prej tyre duhet të lëvizë tek tjetra.

Sherifi thotë se Limaj është mandatar nga strukturat e partisë të bisedojë me partitë për koalicione.

Ai thotë se duhet të shikohen synimet e mëtutjeshme të AAK-së për të kuptuar se pse duhet të bëhet koalicion me të dhe pse duhet ta përkrahin një qeveri me Haradinajn kryeministër.

“Është politikisht e lejuar që edhe partnerët e vegjël të kërkojnë kandidatin për kryeministër. Por nuk mund të kërkosh pas zgjedhjeve pozitën e kryeministrit duke shantazhuar”, thotë ai.

Ndërkaq idenë e Jakup Krasniqit për koalicionin me PDK-në me një sërë kushtesh, ai thotë se më shumë ka dashur ta mbyllë idenë e këtij koalicioni.

Ai tutje ka shtuar se nuk mendon se duhet të vazhdojnë me PDK-në, duke lënë mundësi të hapur për marrëveshje pas zgjedhjeve.

Ndërkaq duke komentuar deklaratat e ish-deputetit të Nismës, Milaim Zeka i cili Sherifin e Krasniqin i quajti kancer të PDK-së, ai tha se mban me krenari nofkën e kundërshtuesit të autokracisë.

“Jam krenar që kam kritikuar dhe nuk jam pajtuar me autokracinë. Nuk më shqetëson ajo dhe këto janë përsëritje, këto mund të ja ketë thënë Hashim Thaçi apo ku e di”, thotë ai.

Ai tutje ka shtuar se ka qenë gjithmonë kundër futjes së Milaim Zekës në listën e deputetëve të partisë.

“Unë nuk kam dashur asnjëherë që ai të jetë pjesë e listës pasi që si natyrë ai është i tillë, ai është kalorës që ecën vetë, ai nuk arrin vetë të sistemohet, nuk pranon rregulla e korniza”, thotë ai.

Lajmet më të lexuara