Vetëvendosje kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjithë veteranëve

Foto : Arsim Namani

15:30 | 8 Gusht 2015
M. A.

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot, me anë të një komunikate kundër arrestimit të veteranëve të luftës dhe, siç thotë, mbajtjes së tyre padrejtësisht në paraburgim.

“Ky pushtet pasi e ka dëshmuar moskujdesin për vite të tëra për këtë kategori, po e përdor aparatin shtetëror të dhunës për t’ua mohuar edhe protestën, si mjet demokratik i domosdoshëm përmes të cilit veteranët e luftës po i kërkojnë të drejtat e tyre.

Persekutimi i veteranëve të luftës vjen me një kohë kur padrejtësitë ndaj tyre po rriten në proporcion të drejtë me rritjen e pasurisë së pushtetarëve që shfrytëzuan maksimalisht luftën e tyre për përfitime personale.

Ky pushtet në vend se t’i trajtojë siç duhet veteranët e luftës, i ka varfëruar e përçmuar, po i rrahë, po i arreston, po iu formon edhe “gjykata speciale”, për t’i frikësuar e shtypur edhe më tej, në mënyrë që t’i shuajë kështu zërat e pakënaqur të kësaj kategorie.

Kërkesat e tyre janë të drejta. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë veteranëve të arrestuar!” thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

 

Shpërndaje në rrjete sociale