Hyseni bën thirrje për ta luftuar ekstremizmin fetar

17:56 | 29 Korrik 2015
M. A.

Ministri i Brendshëm Skënder Hyseni ka qëndruar në Gjilan, në kuadër të vizitave që është duke i bërë në komuna të Kosovës. Ai ka thënë se njerëzit e mirë të vendit duhet ta ruajnë harmoninë fetare duke e luftuar ekstremizmin fetar në vend.

Kryetari Haziri e ka falënderuar ministrin Hyseni për vizitën, ndërsa e ka njoftuar për gjendjen e sigurisë.

Nga ana e tij, ministri Hyseni e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, duke e përgëzuar për lidershipin e tij të fuqishëm, i cili sipas tij, e ka demonstruar brenda pak muajve në Gjilan.

“Sot po ndihem në veçanti mirë në Gjilan, kur dëgjoj për aktivitet aq përmbajtësore, aq sistematike të KKSB-së, për këtë tip lidershipi të fuqishëm që po e demonstron kryetari Haziri brenda pak muajve të qeverisjes, e që ka një rëndësi të dorës së parë në atë që e quajmë ruajtje dhe kultivim të harmonisë fetare, mirëkuptimit ndëretnik etj. Ka shumë rëndësi funksionalizimi i KKSB-ve në funksion të zbritjes së mesazhit në nivelet më bazike të organizimit social te familja, shkolla, lagja, komuniteti, xhamia e kisha, gjithnjë me qëllim të parandalimit të fenomeneve të dëmshme për shoqërinë dhe shtetin”, tha ministri Hyseni.

Ai ka kërkuar nga të gjithë që të vazhdojnë ta luftojnë ekstremizmin e mundshëm të çfarëdo natyre në Gjilan.

“Njerëzit e mirë të këtij vendi e kanë obligim që ta përdorin një kundër narracion, ta vënë në veprim kundër mesazhin për ta detronizuar mesazhin keq që fton për dhunë, urrejtje ndëretnike e ndërfetare. Kosova është vend multikulturor, multietnik e multikonfesional dhe kjo është pasuri që duhet ta ruajmë”, tha Hyseni.

Shpërndaje në rrjete sociale