Në Maqedoni shpërthejnë pakënaqësi me marrëveshjen e arritur

00:28 | 16 Korrik 2015
M. A.

Analistët politikë kanë dalë me qëndrime të ndara rreth marrëveshjes së arritur mbrëmë mes 4 liderëve politikë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Ata e shohin marrëveshjen nga kënde të ndryshme, ndërsa thonë se prioritet në të i është dhënë organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta, për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë.

“Kur lexoj protokollin e nënshkruar mbrëmë dhe aneksin, qartë mund të duket e gjithë intenca e BE-së që para së gjithash të mundësohet të kemi zgjedhje demokratike, bashkëkohore dhe objektive. Është e qartë se reformat për të cilat ishim shumë të zëshëm, kanë ngelur në plan të dytë. Mendoj që ata persona që do të hyjnë në atë Qeverinë e përkohshme, prioritet do të kenë organizimin e zgjedhjeve dhe në dorë të dytë do të jenë reformat. Do të jetë fatkeqësi nëse nuk arrijmë që të implementojmë të paktën pjesë nga kapitulli 23 dhe 24 sepse ata janë pjesë përbërëse që nga marrëveshja e 2 qershorit”, tha Jove Kekenovski, analist, raporton Alsat M.

Suad Misini, me një ton më pesimist thotë se me marrëveshjen e mbrëmshme nuk u arrit të ngrihet një shtet i ri me institucione stabile dhe kulturë politike. Ai thotë se korniza negociuese ishte e gabueshme pasi denoncuesi i krimit dhe i akuzuari për krim u vendos në pozitë të njëjtë dhe Zaev nuk u desh të ulej në këto bisedime. Sipas Misinit, marrëveshja ka zbehur fuqinë e argumenteve që ka pasur në dorë edhe pse thotë se ende ka kohë për kapitalizim të të ashtuquajturave “bomba”.

“Mendoj se kapitali i madh politik që kishte me të ashtuquajturat bomba disi u harxhua me këtë marrëveshje edhe pse mbeten mundësitë për kapitalizim të mëtejmë. Megjithatë mendoj se kabareja personale e Zaevit dhe gjithë ajo që ai kishte në dispozicion dhe duke pasur parasysh kornizën e bisedimeve mendoj se Zaev edhe nuk mund të arrinte më shumë. Qëndrimi im personal është se Zaevi aspak nuk duhej të negocionte dhe mendoj se kjo që u arrit herët në mëngjes, Zaev s’e kishte patjetër ta pranojë”, tha për AlasatM, Suad Misini, analist.

Por sipas Kekenovskit, është normale që në negociata asnjëra palë të mos kënaqet deri në fund. Ai thotë se pa marrë parasysh vlerësimet e partive, mjafton që nga marrëveshje të dalë i kënaqur faktori ndërkombëtar dhe të arrihet qëllimi final, mangësitë e deritanishme në sistem të mos përsëriten.

Shpërndaje në rrjete sociale